Dr.Nisret Hajrullahu edhe zyrtarisht ka marr pozitën e drejtorit në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit, pasi sot është bërë dorëzim-pranim i detyrës, në këtë pozitë.
Hajrullahu zyrtarisht filloi sot punën si i pari në këtë institucion shëndetësor, me këtë rast, ai ka treguar për Portalin 2LONLINE, se përvoja menaxheriale tash e disa vite e shtyu atë që fillimisht të konkurrojë për pozitën me të lartë, atë të drejtorit të Spitalit të Gjilanit, e tani nga sot edhe të fillojë ta ushtrojë këtë detyrë.
“E di, se nuk mjaftojnë tri vite për t’i zgjidhur të gjitha punët në këtë institucion, por me angazhim maksimal dhe profesional mund të bëhen hapa në drejtim të duhur. Objektivë e imja është që të vë disiplinë në punë, respektim të orarit dhe shfrytëzim maksimal të kapaciteteve, në mënyrë që të pakohen radhët e pritjes, të shtohet gama e ekzaminimeve të ndryshme, e të ofrohen shërbime sa më cilësore për pacientë”, Nisret Hajrullahu.
Drejtori Hajrullahu, gjithashtu, ka theksuar se beson edhe në përkrahjen e bashkëpunimin e të gjithë personelit mjekësorë.
“Shpresoj në përkrahjen dhe bashkëpunimin e të gjithë personelit mjekësorë, që bashkërisht t’u ofrojmë shërbimin adekuat të gjithë pacientëve dhe që sa më pak prej tyre të transferohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Spitali i Përgjithshëm i Gjilanit ka mundësi infrastrukturore e profesioniste për shërbime shëndetësore profesionale’, ka shtuar Hajrullahu.
Ai po ashtu u shpreh i bindur se do të kenë mbështetjen edhe nga Ministria e Shëndetësisë.
Përndryshe, Nisret Hajrullahu ka specializuar në fushën e pulmologjisë në vitin 1994, me plotë vite përvojë pune në Spitalin e Gjilanit, duke shërbyer si mjek, por edhe në pozita të ndryshme, ka ushtruar edhe detyrën e drejtorit për Shëndetësi në Komunën e Gjilani, ishte edhe shef i Repartit të Pulmologjisë, shef klinik i Spitalit të Përgjithshëm dhe tani për tri vitet e ardhshme do të udhëheqë dhe menaxhojë me Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit