Në fund të viteve ’70 fillon një tranzicion kulturor i rinisë gjilanase. Deri në atë kohë, në Gjilan nuk kishim kafiteri si sot. Kishim vetëm ëmbëltore të njohura si Egipat, Vanilla e disa të tjera. Kishim gjithashtu kinemanë dhe, sigurisht, korzon – një përjetim më vete!
Korzoja fillonte rreth orës 19:00 në verë dhe mbaronte diku nga ora 22:00. Në dimër niste më herët dhe mbyllej më shpejt. Deri në vitin 1982, korzoja ishte e përbashkët – shqiptarët dhe serbët shëtisnin së bashku.
Pas demonstratave të vitit 1981, filluan ndasitë. Serbët shëtisnin nga hoteli Kristal, ndërsa shqiptarët prej xhamisë e deri te fundi i parkut të sotëm.
Të ishe pjesë e korzos, ishte kënaqësi më vete. Kryesisht ishim të gjithë të njohur mes vete, ndarë në grupe-grupe.
Disa shëtisnin vazhdimisht, e disa kishin vendin e caktuar, që nuk ia zinte kurrë askush. Për shembull, unë me shokë kishim “stacionin” te semafori afër rrethit të sotëm, te komuna e vjetër. Atje qëndronim me stil, të mbështetur për semafor, me shikimin drejt turmës që vlonte pa pushim.
Nga vitet ’80 deri në fillim të ’90-ave, filluan të hapen edhe kafiteritë e para: Tip Topi, Hawai, Aida, Hitsi, Danhilli serb, Playboy (te kazerma e ushtrisë) e shumë të tjera që tani s’më kujtohen.
Një ndikim të madh në këtë tranzicion kulturor e dha edhe hapja e Shkollës së Lartë Pedagogjike në Gjilan – sot Fakulteti Kadri Zeka. Me këtë, nisën të vinin shumë studentë nga e gjithë Kosova: nga Kumanova, Shkupi, Presheva, Novi Pazari, Ulqini… dhe për ta përmbyllur këtë ndryshim, në fund të viteve ’80 filluan të vinin edhe shumë studentë nga Greqia.
Ata “pushtuan” kafiteritë dhe sidomos hotelin Kristal. Ishte një infuzion i mirë për ekonominë e Gjilanit – harxhonin shumë dhe morën shumë banesa me qira, sidomos në Gavranin (Dardania e sotme).
Gjilani i asaj kohe kishte shpirt. Ishte i gjallë, i gjallë dhe i lumtur.
E gjithë kjo filloi të shembet pas vitit 1989, kur regjimi i Millosheviqit nisi represionin. Filluan demonstratat, diferencimet, burgosjet, largimet masive nga puna.
Pushteti kërkoi që shqiptarët ta pranonin Serbinë si shtet pa asnjë autonomi për Kosovën. Shumica nuk e pranuam këtë kusht – dhe u larguam nga puna me kokën lart.
Kujt çka i kujtohet nga kjo kohë? Shkruani poshtë në komente, nëse keni qenë pjesë e këtij kapitulli të paharruar të Gjilanit tonë!
Ky shkrim është përgatitur nga Selatin Mehmeti dhe është shkëputur nga e kaluara.

