Takimi treorësh ndërmjet kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përfunduar pa një marrëveshje politike për formimin e institucioneve. Megjithatë, të dy liderët kanë lënë të hapur mundësinë e vazhdimit të bisedimeve në ditët në vijim.
Kryetari i VV-së, Albin Kurti, tha se takimi ka shërbyer për të diskutuar qasje dhe mundësi të ndryshme, por jo për të arritur një dakordim përfundimtar.
“Sa i përket takimit me LDK-në, lajm do të ishte po të kishim marrëveshje. Marrëveshje politike nuk kemi. Diskutuam për qasje të ndryshme dhe mundësi. Kemi nevojë për një marrëveshje politike që e respekton rezultatin zgjedhor, nuk e zëvendëson atë, por e shndërron rezultatin në kontribut për stabilitet institucional”, deklaroi Kurti.
Ai shtoi se askush nuk dëshiron zgjedhje të reja, por paralajmëroi se mungesa e një marrëveshjeje mund ta çojë vendin në atë drejtim.
“Jemi të interesuar dhe të gatshëm të bashkëpunojmë me LDK-në, sepse vendi ynë ka nevojë për progres të përshpejtuar. Sa i përket presidentit, qëndrimi ynë është se kjo pozitë duhet të përfaqësohet nga një emër jopolitik dhe konsensual”, tha Kurti.
Nga ana tjetër, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e cilësoi takimin si konstruktiv dhe konfirmoi se komunikimi mes dy partive do të vazhdojë.
“Nëse deri më 6 gusht nuk kemi marrëveshje, kemi thënë të vazhdojë konstituimi. LDK-ja nuk ka interes për postin e kryetarit të Kuvendit, pasi është një figurë ceremoniale që duhet t’i takojë partisë së parë”, u shpreh Abdixhiku.
Ai theksoi se LDK-ja mbetet në qëndrimin për një marrëveshje gjithëpërfshirëse.
“Na duhet një marrëveshje gjithëpërfshirëse për Kuvendin, Qeverinë dhe Presidencën, në mënyrë që të ruhet balanca institucionale dhe demokratike”, deklaroi Abdixhiku.
Seanca konstituive e Kuvendit është caktuar për 6 gusht, kur pritet të zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit. Lëvizja Vetëvendosje ka 53 deputetë në Kuvend, ndërsa LDK-ja 18. Ndërkohë, PDK-ja dhe AAK-ja kanë refuzuar takimet me Kurtin për diskutime rreth formimit të institucioneve.

