Marrja e suplementeve me vitaminë D gjatë muajve të dimrit mund të ndihmojë realisht në mbrojtjen nga gripi dhe infeksionet e tjera të frymëmarrjes, sugjeron një studim i ri shkencor.
Shkencëtarë nga Mbretëria e Bashkuar zbuluan se personat me mungesë të rëndë të vitaminës D kishin 33 për qind më shumë gjasa të shtroheshin në spital për shkak të infeksioneve respiratore, krahasuar me ata që kishin nivele të mjaftueshme.
Duke publikuar gjetjet në American Journal of Clinical Nutrition, autorët theksuan se sigurimi i një marrjeje adekuate të vitaminës D mund të ketë ndikim të rëndësishëm në nivel popullate, duke ulur shtrimet në spital për infeksione të rrugëve të frymëmarrjes. Ata shtuan se komunitetet etnike me prevalencë të lartë të mungesës së vitaminës D duhet të jenë në fokus të fushatave informuese për parandalim.
E njohur si “vitamina e diellit”, vitamina D është i vetmi suplement që Shërbimi Kombëtar Shëndetësor britanik (NHS) rekomandon për të gjithë gjatë vjeshtës dhe dimrit. Personat me rrezik më të lartë për mungesë — përfshirë fëmijët e vegjël nga 1 deri në 4 vjeç dhe individët me lëkurë të errët — këshillohen ta marrin atë gjatë gjithë vitit.
Vitamina D luan rol kyç në rregullimin e kalciumit dhe fosforit në organizëm, duke ndihmuar në ruajtjen e shëndetit të kockave, dhëmbëve dhe muskujve. Mungesa e saj nuk shoqërohet vetëm me dhimbje kockash (osteomalaci), por edhe me rritje të rrezikut për infeksione të rënda, si gripi.
Në studimin më të madh të këtij lloji, i udhëhequr nga Universiteti i Surrey-t, u analizuan të dhënat e 36 mijë të rriturve nga UK Biobank për të kuptuar lidhjen mes niveleve të vitaminës D dhe shtrimeve në spital për infeksione respiratore. Këto përfshinin sëmundje virale dhe bakteriale të zakonshme si gripi, pneumonia dhe bronkiti, që prekin rrugët e frymëmarrjes dhe mushkëritë.
Studiuesit zbuluan se personat me mungesë të rëndë të vitaminës D — e përcaktuar si përqendrim në gjak nën 15 nmol/L — kishin rrezik dukshëm më të lartë për shtrim në spital, krahasuar me ata me nivele optimale prej 75 nmol/L ose më shumë. Për çdo rritje prej 10 nmol/L të vitaminës D në gjak, shkalla e shtrimeve në spital për infeksione respiratore ulej me rreth 4 për qind.
Nga 27.872 pjesëmarrësit e përfshirë në analizën përfundimtare, 2.255 persona u shtruan në spital për infeksione të frymëmarrjes. Të moshuarit rezultojnë veçanërisht të rrezikuar: pneumonia dhe bronkiti renditen ndër 20 shkaqet kryesore të vdekjes në botë për moshat 50–74 vjeç dhe hyjnë në 10-shen e parë për personat mbi 75 vjeç.
Autorja kryesore e studimit, Abi Bournout, eksperte e imunologjisë ushqimore në Universitetin e Surrey-t, tha se vitamina D është thelbësore për mirëqenien fizike. Përveç rolit në shëndetin e kockave dhe muskujve, ajo ka edhe veti antibakteriale dhe antivirale, që mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut të infeksioneve të frymëmarrjes që çojnë në shtrim spitalor. “Ky studim ofron të dhëna konkrete që mbështesin këtë teori”, theksoi ajo.
Pavarësisht kësaj, mbi një miliard njerëz në mbarë botën vuajnë nga mungesa e vitaminës D në nivele të ndryshme, ndërsa rreth një e pesta e popullsisë së Mbretërisë së Bashkuar vlerësohet se ka nivele të pamjaftueshme.
Burimet kryesore natyrore të vitaminës D janë ekspozimi në diell dhe ushqime si peshku i yndyrshëm, mishi i kuq dhe e verdha e vezës. Sipas ekspertëve, suplementet janë veçanërisht të dobishme në dimër, kur ekspozimi ndaj diellit është i kufizuar, sidomos për të moshuarit dhe komunitetet që janë më të rrezikuara nga mungesa e kësaj vitamine.
Studimi vjen në një kohë kur është vërejtur një rritje e lehtë e rasteve të gripit, pas dy javësh rënieje. Vetëm në javën e parë të vitit, mbi 2.940 shtretër spitalorë u zënë nga pacientë me grip. Edhe pse rastet kanë nisur sërish të bien, autoritetet paralajmërojnë se ngarkesa në spitale mbetet e lartë, për shkak të motit të ftohtë dhe rritjes së dëmtimeve nga rrëshqitjet dhe rëniet. /GazetaExpress/

