Asamblisti komunal Fadil Ademi ka ndërmarrë një iniciativë vullnetare për përmirësimin e kushteve në shkollën e fshatit Llovcë, duke dhuruar pesë klima për nxënësit.
Sipas Ademit, nisma është realizuar me ndihmën e familjarëve dhe kushërinjve të tij, përfshirë edhe bashkatdhetarë nga diaspora, me synimin që nxënësit të kenë kushte më të mira gjatë mësimit, si në periudhën e verës, ashtu edhe gjatë dimrit.
Ademi ka bërë të ditur se një vit më parë Komuna e Gjilanit kishte investuar në përmirësimin e kushteve të shkollës, ndërsa kjo iniciativë synon të kontribuojë më tej në krijimin e një ambienti më të përshtatshëm për nxënësit.
Ky veprim vullnetar ngre edhe çështjen e përgjegjësisë institucionale, pasi sigurimi i kushteve të përshtatshme në objektet shkollore është përgjegjësi e institucioneve komunale përkatëse.
Ademi ka falënderuar të gjithë familjarët dhe bashkëpunëtorët që kontribuuan në realizimin e kësaj nisme, duke theksuar se, pavarësisht largësisë, lidhja me vendlindjen dhe kujdesi për komunitetin mbeten të forta.










