Prishtinë- Policia e Kosovës (PK) njofton se një person ka vdekur si pasojë e aksidentit në autostradën “Ibrahim Rugova”, ku me veturën që po e drejtonte është rrokullisur jashtë rrugës.
Në raportin 24 orësh të Policisë, thuhet se rasti ka ndodhur në rreth orës 04:20 të së shtunës, në kilometrin e 27-të të autostradës rreth orës 04:20 të mëngjesit, raporton “Betimi për Drejtësi‘.
“Një mashkull kosovar ka vdekur pasi që, me veturën që po e drejtonte dyshohet se është rrokullisur jashtë rrugës. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor. Po ashtu si pasojë e aksidentit, lëndime trupore ka pësuar edhe një pasagjer i cili është dërguar për trajtim mjekësor”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion. /BetimipërDrejtësi