Sot janë bërë një javë nga tragjedia që ndodhi në Gjilan, ku të vdekur mbetën pesë persona.
Zyrtarja policore Valdete Bllaca me armë zyrtare dyshohet se vrau nënën, babanë, dy vëllezërit dhe në fund i mori jetën edhe vetes.
Kjo ngjarje tronditi jo vetëm Komunën e Gjilanit, por edhe gjithë vendin. Të pesë qytetarë gjilanas, pjesëtarë të familjes Bllaca kishin mbetur pa shenja jete në dhomë të ndryshme të së njëjtës shtëpi.
Lidhur me zhvillueshmërinë e këtij rasti, katër punonjësve të Policisë së Kosovës i është vazhduar suspendimi deri në përfundim të hetimeve.
Kjo është konfirmuar për Indeksonline, nga Zyra e shtypit Policisë së Kosovës.
“Për njoftimin tuaj me rekomandimin e IPK-së u janë vazhduar suspendimet (4) punonjësve të PK-së: komandantin e stacionit policor, zëvendëskomandantin, shefin e operativës së stacionit policor dhe një zyrtari të stafit civil”, u tha në përgjigjen e PK-së, drejtuar Indeksonlinet.
Inspektorati Policor i Kosovës pati rekomanduar që të suspendohen eprorët e Stacionit policor në Gjilan, pak orë pasi ndodhi ngjara tragjike.
Ndryshe drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj. pak ditë më parë dha detaje shtesë lidhur me rastin ku tha se dyshohet se zyrtarja policore Valdete Bllaca pasi kishte kryer 4 vrasjet kishte dalë në një lokal e në pasdite kishte vrarë edhe veten.
“Pastaj është kthyer në shtëpi e shoqëruar nga disa familjarë – tezja dhe djali i tezes. Për një moment është larguar nga familjarët, është futur brenda në shtëpi dhe familjarët kanë dëgjuar dy shkrepje të armëve.Në atë moment, ata e kanë thirr policinë. Reagimi i Policisë ka qenë shumë i shpejtë dhe është konstatuar se zyrtarja policore ka bërë vetëvrasje dhe në atë shtëpi kanë qenë edhe katër trupa të anëtarëve të familjes Bllaca nga Gjilani”, pati thënë Qalaj.
Policja Valdete Bllaca kishte shërbyer në Policinë e Kosovës 18 vjet radhazi, një kohë në Prishtinë e më pas në Gjilan./Indeksonline/