Gjykata Themelore e Prizrenit ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë së Shtetit për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Ministrit Fikrim Damka dhe djalit të tij, dhe ua ka caktuar atyre masën e arrestit shtëpiak prej një muaji për veprat penale “Sulmi” dhe “Kanosja”, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Në njoftim thuhet se të dyshuarit nuk guxojnë të largohen nga vendbanimi pa lejën e Gjykatës dhe iu ndalohet të kontaktojnë me personat me të cilët ata nuk jetojnë apo nuk janë të varur nga të pandehurit.
“Caktohet masa e arrestit shtëpiak ndaj dy (2) të pandehurve , për shkak të dyshimit të bazuar se secili veç e veç kanë kryer veprat penale, Sulmi dhe Kanosja Prizren, 11 shkurt 2025– Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, gjyqtarja e procedurës – ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë së Shtetit, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy (2) të pandehurve, dhe ka marrë AKTVENDIM, për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj të pandehurve:
– F.D., (I), për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale: sulmi nga neni 181 par.1 të KP-së, dhe për veprën penale kanosja nga neni 181 par.2 lidhur me par.1 të KP-së., dhe ndaj të dyshuarit
– F.D. (II), për shkak të dyshimit zë bazuar se ka kryer veprat penale: sulmi nga neni 184 par.1, dhe veprën penale kanosja nga neni 181 par.1 të KP-së.
Masa e arrestit shtëpiak është caktuar në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 09.02.2025 dhe mund të zgjasë deri më datën
09.03.2025. Të pandehurit nuk guxojnë që të largohen nga vendbanimi pa lejen e Gjykatës, si dhe iu ndalohet të kontaktojnë me personat me të cilët ata nuk jetojnë apo nuk janë të varur nga të pandehurit”, thuhet mes tjerash në njoftim.
Mediat dje raportuan se Damka kishte sulmuar një kandidate nga Partia Turke e Lëvizjes Novatore, si dhe një tjetër person nga kjo parti.
Për rastin u deklarua edhe policia e Kosovës.
“Dje me datë 09.02.2025 rreth orës 18:00 në Prizren është raportuar një rast “Kanosje dhe Sulm”, policia ka intervsituar të dyshuarit F.D. dhe F.D dhe viktimat si dhe janë mbledhur edhe prova dhe dëshmi tjera dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit dy të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë në ndalim policor”, tha zëdhënësi Shaqir Bytyqi.