Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Avdirrahman Gashit, i dyshuar për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e paraburgimit ndaj Gashit.
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, Gjykata ka vlerësuar se caktimi i paraburgimit është masë adekuate, pasi ekziston rreziku që, nëse lihet në liri, i pandehuri mund të pengojë rrjedhën e procedurës penale.
Sipas Gjykatës, ekziston rreziku që ai të asgjësojë, fshehë, ndryshojë ose falsifikojë prova, si dhe të ndikojë te dëshmitarët.
Në vendimin për caktimin e paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh edhe peshën dhe natyrën e veprës penale për të cilën dyshohet Gashi, mënyrën dhe rrethanat në të cilat dyshohet se është kryer vepra, si dhe pozitën e tij zyrtare.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.

