Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka caktuar një muaj paraburgim të pandehurit F.SH për shkak të dyshimit për veprën penale spiunazh.
Gjykata ka vlerësuar se nëse i pandehuri lihet në liri, i njëjti mund të ndikojë në prova edhe në dëshmitarë si dhe mund të përsëris veprën e njëjtë penale.
“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjykata vlerësoj se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate, sepse nëse i pandehuri lihet në liri, ekziston rreziku i ikjes, mund ti shmanget procedurës penale dhe se i njëjti do të jetë i pakapshëm për organet e drejtësisë, duke qenë se i njëjti dyshohet për vepër penale të një rrezikshmërie shumë të lartë përkatësisht për vepër penale spiunazhi, ngase duke pasur parasysh peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, e që fillimisht duhet specifikuar faktin se vepra penale e cila i ngarkohet të pandehurit F.SH. bënë pjesë në kuadër të kapitullit të veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës, e cila vepër veçanërisht rrezikon institucionet dhe funksionimin e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.