Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ish-punonjësit të AKI-së, Muhamet Krasniqi, i cili dyshohet se ka kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Keqpërdorimi i informatës zyrtare”, ‘”Hyrja në sistemet kompjuterike”, “Zbulimi i informacioneve të klasifikuara dhe mos ruajtja e informacioneve të klasifikuara” dhe “Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara”, shkruan Gazeta Sinjali.
“Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit M.K. e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji. Të pandehurit M.K. paraburgimi i caktohet në bazë të nenit 187 par 1 nen par. 1.1 dhe 1.2 pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPK-së”, shkruhet në njoftimin e gjykatës.
Sipas njoftimit i pandehuri Muhamet Krasniqi dyshohet nga Prokuroria se në cilësinë e personit zyrtar, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar ka tejkaluar kompetencat e tij dhe nuk i ka përmbush detyrat zyrtare të tij, në atë mënyrë që pa autorizim ka ndërhyrë në sistemin kompjuterike të AKI-së dhe me këtë dyshohet se ka kryer veprat penale të cekura më lartë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.