Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pak minuta më parë në qytetin e Pejës, ku një person ka humbur jetën tragjikisht pasi ka rënë nga ballkoni i një banese në rrugën ‘Mbreti Pirro’, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës kanë bërë me dije se kanë pranuar thirrje për ndihmë, pasi një person ndodhej pa ndjenja dhe dyshohej se ishte në rrezik për jetën.
Ekipi mjekësor i Emergjencës ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë hasur në trupin e të ndjerit dhe pas ekzaminimit për shenjat vitale, mjeku kujdestar ka konstatuar se viktima ka ndërruar jetë.
Sinjali mëson se viktima është një burrë i moshës rreth 30-vjeç.
Ndërkohë në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitë policore, të cilët po kryejnë ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Mediat lokale në Pejë kanë publikuar pamje nga vendi i ngjarjes, teksa raportojnë se viktima ka rënë nga kati i shtatë i ndërtesës.