Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti Përgjithshëm, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Gjilan, caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të dyshuarit A.A., i cili dyshohet se i shkaktoi lëndim të rëndë trupor një personi të mitur.
Sipas kërkesës, dyshohet se më 03 Qershor 2020, në Gjilan, i dyshuari A.A., me dashje e ka lënduar rëndë të dëmtuarin e mitur të moshës 13 vjeç, ashtu që pasi i mituri kishte dalë të luante me fëmijë dhe pas një fjalosje rrahen me fëmijët e të dyshuarit, i njëjti i revoltuar shkon e tërheq zvarrë dhe e sulmon fizikisht duke e goditur me grusht tek syri, pastaj e godet me shuplaka në gojë dhe i thyen një dhëmb.
Si pasojë e goditjeve të marra, i mituri rrëzohet në tokë, mirëpo i dyshuari përsëri, derisa i njëjti ishte shtrirë e godet me shqelma në stomak dhe pjesë të ndryshme të trupit, deri atëherë kur ndërhyn një kalimtar dhe e pengon, ku si pasojë e plagëve të marra viktima kishte pësuar lëndime trupore.
Me këto veprime, dyshohet se i dyshuari ka kryer veprën penale ‘’Lëndimi i rëndë trupor’’, nga neni 186 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.