Me qindra euro dyshohet të kenë marrë si ryshfet nga qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë, policët dhe doganierët që u arrestuan të hënën (14 mars) në Komunën e Gjakovës dhe atë të Prizrenit.
Por kishte prej atyre që ishin korruptuar me shuma shumë të vogla.
Me vetëm 1.5 euro qytetari nga Shqipëria A.C, i kishte bindur policët kufitarë që të hynte lirshëm në Kosovë, pasi të njëjtit i kishin kërkuar diçka për të pirë ose për të ngrënë.
Policët e arrestuar, disa herë kishin pranuar të holla duke vepruar në kundërshtim me kushtet për hyrje në Kosovë, sipas masave kundër pandemisë COVID-19.
Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se hetimi për këtë rast ka nisur një vit më parë ndaj 68 personave dhe disa persona janë ende në arrati, përfshirë edhe shtetas të Shqipërisë.
Në mesin e të arrestuarve, sipas IPK-së, janë dy togerë policorë, pesë rreshterë dhe dy zyrtarë doganorë.
Ky operacion i IPK-së, sipas autoriteteve, është përkrahur edhe nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, Dogana e Kosovës dhe Policia e Kosovës.