Një serb raportohet se është rrahur në Kosovë. Ai po mbahet në spitalin e Gjilanit, për shkak të lëndimeve që i janë shkaktuar mbrëmë nga disa sulmues të panjohur në rrugë në fshatin Zebincë afër Novobërdës.
Sllobodan Periq, babai i serbit që po trajohet në spital, ka thënë se djali i tij është në gjendje të qëndrueshme, por se lëndimet në kokë janë të tilla sa mjekët i kanë reakomanduar prindërve të qëndrojnë në spital për ta monitoruar shërimin e tij.
“Jo mirë. Meqenëse nuk e lënë të dalë nga spitali, nuk është mirë. Ai do të mbahet në Gjilan, deri kur, nuk e di. Policia po e ruan atë para derës së dhomës së spitalit”, tha Periq.
Sllobodan Periq tha për portalin serb në Kosovë, “Kosovo Online” se ka frikë për të ardhmen e familjes së tij në Novobërdë.
“Unë nuk jam më i sigurt për të ardhmen tonë në këtë zonë pas sulmit ndaj Nikollës. Ai u rrah pa asnjë arsye nga tre shqiptarë ndërsa po i kthente bagëtinë nga kullotja. Një incident i tillë nuk ka ndodhur këtu për 22 vjet”, tha ai.
Babai i të riut të rrahur pret që Policia e Kosovës t’i gjejë sulmuesit sepse kamerat e sigurisë janë të vendosura në disa pozicione përgjatë rrugës ku u sulmua djali i tij. Sipas Periq, sulmuesit ikën në drejtim të panjohur me një veturë të zezë “BMW”.