Në seancën e Parlamentit Evropian është miratuar rezoluta për zgjerim e Bashkimit Evropian, e cila i rekomandon Komisionit Evropian dhe vendeve anëtare që avancimi i Serbisë drejt BE-së të kushtëzohet me vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe progresin e dukshëm në reforma.
Është miratuar edhe një amendament me të cilin ndër të tjera rekomandohet rishikimi i fondeve të para-anëtarësimit për Serbinë dhe projekteve të financuara prej tyre.
Në atë dokument, vendeve anëtare rekomandohet të bëjnë përparim të mëtejshëm në negociatat me Serbinë vetëm nëse ajo respekton sanksionet e Bashkimit Evropian kundër Rusisë dhe bën përparim të dukshëm në reforma.
Gjithashtu, në këtë dokument, Parlamenti Evropian shkruan se është e nevojshme të forcohet angazhimi konstruktiv i BE-së me autoritetet e Serbisë dhe Kosovës për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të obligueshme për normalizimin e marrëdhënieve në kuadër të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.