Paralajmërimi vjen nga shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Kristalina Georgieva.
“Është e rëndësishme të mbahet parasysh se ky ndikim i ndërthurur i disa krizave të njëpasnjëshme, po teston durimin e njerëzve dhe mundësitë e tyre për t’u rikuperuar nga vështirësitë. Dhe, nëse nuk ndërmerrnen veprime konkrete për të mbështetur shtresat më vulnerabël, do të ketë pasoja,” tha ajo për CNN, përcjell Albinfo.ch.
“Nëse nuk reduktojmë inflacionin, kjo do të rëndojë mbi shtresat më vulnerabël, sepse rritja stratosferike e çmimeve të ushqimeve dhe të energjisë për ata që janë në gjendje më të mirë ekonomike është thjesht një shqetësim, por, për njerëzit e varfër, është një tragjedi. Për këtë arsye, duhet të mendojmë së pari për njerëzit e varfër kur flasim për përballjen me inflacionin,” tha Georgieva.
Bankat qendrore në mbarë botën nuk kanë “zgjidhje tjetër” veçse të rrisin normat e interesit, në një përpjekje për të luftuar inflacionin, shtoi ajo.
“Politikat fiskale, nëse shkojnë bujarisht për t’i ndihmuar të gjithë, në fakt do të jenë duke penguar qëllimet e politikës monetare. Ato do të përbënin armikun e politikës monetare, sepse do të rritnin kërkesën dhe kjo do të shtonte akoma më shumë çmimet. Si rrjedhojë, do të duheshin më shumë shtrëngime të politikës monetare,” tha shefja e FMN-së. “Problemi më kritik me të cilin përballemi është rivendosja e kushteve të nevojshme për rritje ekonomike, ndërsa stabiliteti i çmimeve është një parakusht kritik për këtë,” shtoi ajo.
Ngjarjet që kanë nxitur rritjen e çmimeve, kryesisht varianti Omicron i Covid-19 dhe pushtimi i Ukrainës nga Rusia, e kanë “bërë inflacionin armikun tonë më të madh në kohët e sotme”, tha shefja e FMN-së.
“Ky vit është i vështirë, por viti i ardhshëm do të jetë akoma më i vështirë. Pse? Për shkak të tronditjeve të njëpasnjëshme. Në vetëm tri vite të shkurtra, kemi pasur pandeminë (e cila ende nuk ka mbaruar), luftën, rritjen e çmimeve të energjisë dhe të ushqimeve për shkak të pushtimit të Ukrainës, dhe të gjitha këto kanë rezultatuar në një krizë të kostos së jetesës,” tha ajo për CNN.
Kur u pyet për rritjen e mbështetjes për kandidatët e ekstremit të djathtë në vende si Italia dhe Suedia, Georgieva tha se ajo “nuk është e befasuar që njerëzit janë të zemëruar. Ata janë mbyllur në shtëpitë e tyre për muaj me radhë. Ata shohin se çmimet po rriten në mënyrë dramatike. Dhe kjo është arsyeja pse apeli im për politikëbërësit është që të jenë të vëmendshëm.”
Shefja e FMN-së tha se ngjarjet që kanë nxitur rritjen e çmimeve, kryesisht varianti Omicron i Covid-19 dhe pushtimi i Ukrainës nga Rusia, e kanë “bërë inflacionin armikun tonë më të madh në kohët e sotme”.
Do të ketë “njerëz në rrugë”, tha ajo. “Nëse nuk jemi në gjendje të mbrojmë ndjenjën e mbijetesës dhe të solidaritetit, kjo është ajo që do të ndodhë”.