Në kuadër të trajnimeve dhe aftësimit të stafit të Njësisë së Kontrollit të Kufirit Ujor në kuadër të Njësisë së Ndërhyrjes së Shpejtë, së fundmi është realizuar një trajnim me disa module nga instruktor të trajnuar dhe çertifikuar të Shoqatës për Kërkim-Shpëtim. Ky trajnim është realizuar me sukses dhe ka përfshirë disiplina të ndryshme të ndërlidhura me mbijetesën në natyrë, kërkimin dhe shpëtimin, si dhe zhytjen dhe shpëtimin në ujë. Aktivitetet janë zhvilluar në disa lokacione të ndryshme, varësisht nga natyra e trajnimeve.
Mbijetesa në natyrë dhe lëshimet në litarë janë zhvilluar në rajonet malore, kurse disiplina e kërkim-shpëtimit në ujë dhe trajnimi për zhytje është realizuar në zonën bregdetare në Shqipëri. Këto ushtrime kanë përfshirë teknika të kërkimit në ujë, shpëtimit të të mbyturve, përdorimin e pajisjeve të zhytjes dhe menaxhimin e situatave emergjente në ambiente ujore.
Ky trajnim ka kontribuar në zhvillimin e aftësive praktike dhe teorike për ndërhyrje në situata emergjente, duke përfshirë terrenet e ndryshme si në tokë ashtu edhe në ujë. Bashkëpunimi me Shoqatën për Kërkim-Shpëtim ka qenë jashtëzakonisht i frytshëm dhe profesional, duke ndihmuar në ngritjen e kapaciteteve të pjesëmarrësve në fushën e mbrojtjes dhe shpëtimit.