Sot rreth orës 05:50 njësia speciale e Kosovës është nisur drejt veriut të Kosovës.
Rreth 25 makina të blinduara të kësaj njësie të policisë janë nisur për këtë pjesë të Kosovës.
Policia e Kosovës në orët e hershme të mëngjesit të së mërkurës ka zbarkuar në pjesën veriore të Mitrovicës. E gjithë kjo me një qëllim. Për arrestimin e disa personave të cilët ndërlidhen me rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit. Për këtë rast janë arrestuar dy persona, njëri nga ta, zyrtar serb i Policisë së Kosovës, ndërkohë një tjetër është në kërkim.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës. Baki Kelani tha se personi i arrestuari është me inicialet R.B. ndërkohë tek i arrestuari i dytë policia ka gjetur edhe një armë.
“Mund të konfirmojmë se sot në orët e hershme të mëngjesit, në veri të Mitrovicës Policia e Kosovës ka realizuar një operacion policor i cili ndërlidhet me rastin e vrasjes se z. O. Ivanoviç. Ky operacion policor është realizuar në bazë të urdhëresës për kontroll të lëshuar nga Gjykata Themelore , Departamenti Special, i cili ka rezultuar me arrestimin e një personi të dyshuar m/k/s zyrtar policor ( R. B. ) i përfshirë në urdhër kontroll, përderisa i dyshuari tjetër po ashtu pjesëtar policor m/k/s mbetet në kërkim”, ka thënë Kelani për RTK.
Gjate operacionit policor është arrestuar edhe një person tjetër i dyshuar tek i cili është gjetur një armë. Në këtë operacion janë gjetur dhe konfiskuar edhe dy armë të tjera dhe municion.