Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri dhe kryetari i Shoqatës Sindikale të Drejtorisë së Përgjithshme, Besim Krasniqi, janë takuar me Njësitë e Specializuara të Policisë së Kosovës, në Kampin “Enver Zymeri” në Mitrovicë.
Në takim është bërë e ditur se Njësitë e Specializuara kanë kërkuar reflektim brenda muajit shkurt, për realizimin e kërkesave të paraqitura në protestën e fundit.
Ata kanë paralajmëruar të realizohen kërkesat, në mënyrë që të mos ketë përsëri protesta.
“Nga përfaqësuesit e këtyre njësive është kërkuar që Sindikata të luaj rol vendimtar në përfaqësimin e të drejtave të tyre, qoftë në kushte dhe mirëqenie , qoftë në rregullimin e disa çështjeve administrative si te Udhëzimet dhe Rregulloret e brendshme. Po ashtu kërkesë e veçantë ishte reflektimi, brenda muajit Shkurt, për realizimin e kërkesave të paraqitura në protestën e fundit, me qëllim që të mos detyrohemi që të fillojmë përsëri me protesta”, thuhet në njoftim.
Në takim kanë marrë pjesë përfaqësuesit e njësive të NJSO-së, NJSI-së, NJTME-së, NJMA-së dhe K-9.
Gjithashtu, në njoftim thuhet se kryetari i Sindikatës ka premtuar se në mënyrë të paanshme dhe pa ndikim nga askush do të përfaqësojë të gjithë punonjësit e policisë.