Nëse pyesni ndonjë shkupjan se, në cilin vend mund të ndjeni shpirtin e kryeqytetit, ai me siguri do t’ju drejtojë për një shëtitje në çarshinë e vjetër të Shkupit.
Në këtë rrugicë të kalldrëmtë, së fundmi, mund të frymohet edhe një puhizë shqiptare. Një aromë e kartës së sapo shtypur me letra shqipe. Një fllad, edhe nobelist.
E tillë ka qenë një shqiptare e madhe e historisë – një krenari e nderuar me çmimin Nobel për Paqen në vitin 1979 – shqiptarja e Shkupit, Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, njohur botërisht, si shenjtorja Nënë Terezë.
Një nobeliste, që u dha emër e zë shqiptarëve anembanë, por edhe ndihmë të pakursyer popujve të botës, mbi të gjitha atij indian.
Sot, gjendemi 24 vjet pas shuarjes fizike të saj, por jo asaj shpirtërore. Një shpirt që vazhdon e frymëzon – edhe njerëz të pasionuar me letrat shqipe.
Nobelist – jo si Anjeza këtë herë – është edhe Latif Mustafa. Nobel – jo si ai i Nënë Terezës – është libraria që ai ka çelur në Shkup, për t’i ofruar komunitetit shqiptar aty, mundësinë e të lexuarit shqip.
Pamje të brendshme nga libraria Nobel, Çarshi, Shkup
“Shkupi kohë pas kohe ka pasur librari të mëdha, por një që kemi pasur së fundmi për leximin shqip, prej rreth dy vjetësh është mbyllur”, rrëfen ai për Albanian Post.
“Ka kohë që Shkupi nuk ka një librari të mirëfilltë. Kërkohej dhe debatohej pse Shkupi nuk e ka. Në Tetovë kishim dy, pasi është edhe qytet më universitar. Por, më në fund, e morëm edhe vendimin për ta hapur një në Shkup”.
Një hapësirë letrare komunitare
Një e katërta e Shkupit është shqiptare sipas censusit të vitit 2002. Shifrat e reja, ende nuk janë zyrtarizuar. Por, edhe si të tillë, pra me çerekun e kryeqytetit maqedonas shqiptar, minioritet, nuk është fjala e duhur për t’ju referuar atyre.
Shqiptarët janë një komunitet i gjerë e i shtrirë në gjithë Maqedoninë e Veriut.
Si të tillë, hapësirat e nevojshme për shoqërizim, janë jo vetëm të nevojshme, por të domosdoshme, një hapësirë jo vetëm komunitare, por edhe letrare.
Pamje të brendshme nga libraria Nobel, Çarshi, Shkup
“Nobeli është bërë një pikëtakim i shqiptarëve”, na pohon Latifi. “Vihet re lirshëm. Po ashtu, edhe nga shumë personalitete është bërë pikëtakim”.
Ai është i qartë kur thotë se jo vetëm ata që lexojnë, që i duan shkronjat po e vizitojnë Nobelin, por edhe të tjerë. Njerëz, të cilët duan t’i reflektojë në sytë e tyre, një panoramë librore estetikisht e bukur dhe intelektualisht e pasur.
Një frymë, e cila po kërkohet t’u jepet edhe fëmijëve tashmë. Ofrimi i titujve shqip, është qasje për vazhdimësinë e identitetit shqiptar aty.
Kënd me letërsi për fëmijët brenda ambienteve të librarisë
“Ne botojmë libra të autorëve shqiptarë për fëmijë. Autorë si Bedri Dedja, Petro Marko, Vedat Kokona. Ofrojmë autorë maqedonas për fëmijë, të cilët i kemi shqipëruar. Gjithashtu, një pjesë e mirë janë edhe autorë të huaj”.
Çarshia multietnike shqiptare
Jo vetëm shqip! Është e vërtetë që në Nobel, mbi 90% e titujve janë ata shqiptarë, por opsione, ka edhe për ata që kërkojnë një linguizëm tjetër. Atë maqedonas, turk, pse jo edhe britanik.
“Kjo është fryma e Çarshisë multietnike”, ngazëllehet Latifi. “Këtu kemi një numër solid veprash, edhe në gjuhë të huaja. Është numër i vogël, simbolik, por po shohim mundësinë për t’i zgjeruar”.
Pavarësisht kësaj, fryma “nobeliste” përcjell në masë atë shqiptare. Kjo, jo me pak vështirësi.
Ashtu siç na pohon edhe Latifi, probleme ka me aspektin doganor, për librat që shkojnë nga Tirana në Shkup. Një doganë e lartë, TVSH e shtuar dhe taksa të tjera, e çojnë çmimin e librave përtej normales.
“E kemi më të vështirë t’u ofrojmë lexuesve shqiptarë libra cilësorë me çmime jo vetëm të arsyeshme, por minimalisht të ngjashme me ato maqedonase. Duhet të paguajmë përtej TVSH-së, edhe taksë doganore shtesë prej 5%-ësh”.
Kjo sipas tij, e demotivon lexuesin shqipfolës. “Pala maqedonase ka kosto më të ulura sepse investon edhe vetë shteti për publikimin e librave. Ndërsa, për titujt shqiptarë, e tillë gjë nuk ndodh”.
Vështirësi shpesh hasen edhe me bashkëpunimin me institucione apo individë, që kanë dëshirë të kontribuojnë për shqiptarët atje.
Një odiseadë e vërtetë, për të përcjellë shkronja shqipe
“Gjithçka bëhet pikë së pari për një ideal”. Ky është epilogu përmbyllës i Latifit. Një epilog i gjithi nën dritëhijet e letrave shqipe.
Pamje të brendshme nga libraria Nobel, Çarshi, Shkup
“Raftet e para janë të mbushura me libra të mendimit shqip, pra të mendimit shqiptar. Janë raftet që promovojmë më së shumti. Marr parasysh faktin që shumicën e librave i kemi në gjuhën shqipe. Pra, ne stimulojmë të menduarin shqip dhe shterimin e mundësive të gjuhës shqipe për të krijuar mendime”.
Mendime e përsiatje shqiptare, të shtypura e lexuara në shqip, për shqiptarët. Për komunitetin minoritar më të gjerë në Maqedoninë e Veriut.
Një Nobel – jo si çmimi – por me peshë të lartë komunitare.
Me peshën për të ndërtuar një komunitet “nobelistësh” shqiptarë – për vazhdimësinë e shqiptarizmit jashtë trojeve gjeografike. /Albanianpost.com