Ardian Nuhiu ka dërguar mesazh për futbollistët e tij nga dhoma e shtypit para duelit ndaj Ferizajt, i cili është i rendësishëm për vazhdimësinë.
Kryetrajneri i skuadrës vlerësoi organikën e kundërshtarit të nesërm, ndërkohë që ka potencuar se futbollistët e tij duhet të tregojnë më tepër se maksimumin për ta fituar këtë sfidën.
“Ndeshemi me një kundërshtar që ka në përbërje futbollist cilësor dhe shumë të shpejtë. Kemi shfrytëzuar pauzën e kombëtareve për të analizuar ekipin kundërshtar dhe për ta përgatitur këtë ndeshje për të cilën duhet të japim më shumë se maksimumin, të sakrifikojmë dhe të luftojmë për të marrë maksimumin e ndeshjes që të kemi ecuri dhe vazhdimësi të rezulteteve pozitive”, theksoi fillimisht Nuhiu.
Shefi i shtabit ka folur edhe për formën të cilën po e kalon ekipi i tij, teksa ka potencuar se është i kënaqur me punën e bërë, por jo edhe me rezultatet, të cilat nga ndeshja e parë kanë mundur të jenë në favorin e ‘kuqebardhëve’.
“Jam i kënaqur me mënyrën se si është punuar, me shumë përkushtim dhe profesionalizëm. Jam i kënaqur me mënyrën se si kemi luajtur, por nuk jam i kënaqur me rezultatet. Në çdo ndeshje kemi luajtur mirë, kemi shënuar, por nuk kemi arritur ta menaxhojmë si duhet. Futbollistët po marrin mesazhin që ne po japim, por normalisht që duhet kohë dhe ambientim për të arritur atë që ne kërkojmë”, potencoi Nuhiu.