Ardian Nuhiu, kryetrajneri i skuadrës është paraqitur para mediave në prag të sfidës kampionale ndaj KF Dukagjini, e vlefshme për xhiron e tretë në Albi Mall Superligë.
Duke folur për duelin e radhës kampional, tekniku i kuqebardhëve ka potencuar se është i kënaqur me atë se çfarë kanë treguar futbollistët e tij deri më tani.
“Ndodhemi përballë një kundërshtari mjaft cilësor, pavarësisht që nuk ka marrë atë të cilën e ka merituar ndoshta në dy ndeshjet e para, pasi që ka patur raste për shënim dhe kanë luajtur një lojë mjaft ofansive. Ne kemi përgatitur ndeshjen dhe pres se si do të reagoj skuadra ndaj një kundërshtari që bën presin gjatë gjithë kohës dhe luan me agresivitet”, deklaroi fillimisht Nuhiu.
“I kënaqur me çasjen e skuadrës në këto dy ndeshje. Jemi përballur me dy skuadra që edicionin e kaluar ishin në garë për titullin kampion deri në xhirot e fundit. Ne si skuadër në ndërtim e sipër kemi krijuar mjaftueshëm raste në këto ndeshje për ta fituar ndeshjen, megjithëse nuk kemi arritur ta bëjmë këtë. Për këtë periudhë të shkurtër, duhet theksoj se jam i kënaqur me atë se çfarë kanë treguar futbollistët. Po punojmë nga dita në ditë që të përmisohemi në aspektin që të mos pranojmë pasi që të realizojmë gol”, shtoi ndër të tjerash.
Merkato jo e mbyllur, por i kënaqur me grupin
Shefi i shtabit teknik nuk e ka përjashtuar mundësinë që të afrohet edhe ndonjë futbollist në ditët e fundit të afatit kalimtar, mirëpo ka potencuar se është i kënaqur me grupin që ka në dispozicion.
“Merkato nuk është ende e mbyllur, nëse gjejmë ndonjë futbollist që i përshtatet grupit tonë, normalisht që do ta afrojmë. Gjithmonë ka hapsirë për futbollist cilësor, por e potencoj edhe njëherë që jam i kënaqur me grupin qe kemi”, ndër të tjerash tha Nuhiu.
Lajm pozitiv para duelit të së dielës është rikthimi i Oltion Bilallit, i cili është një element shtesë për ekipin.
“Lajm pozitiv është rikthimi i Oltion BIlallit, i cili na mungoi në ndeshjen e fundit. Gjithë grupi është i gatshëm për këtë ndeshje. Kërkoj nga futbollistët që të japin gjithçka nga vetja, qoftë edhe pesë minuta, pasi që çdo minutë është i vlefshëm në ndeshje”, potencoi Nuhiu.
Ekipi udhëton këtë vikend drejt Klinës për t’u përballur me Dukagjinin, në sfidën e cila zhvillohet në stadiumin “18 Qershori” dhe fillon nga ora 16:00.