Drita ka regjistruar fitoren e pestë radhazi. Gjilanasit sot triumfuan 2:1 ndaj Ferizajt ndonëse ishin duke humbur 1:0 pas pjesës së parë.
Trajneri i ekipit kampion, Ardian Nuhiu ka thënë se pozitive nga kjo ndeshje është rikthimi në lojë, transmeton Gazetasheshi.com.
“Pozitive është fakti se futbollistët u rikthyen pas golit të pranuar. Kjo e tregon karakterin e tyre edhe pse ata e dominuan tërësisht ndeshjen. Patëm shumë raste, ndoshta më shumë se në çdo ndeshje tjetër dhe kjo është pikërisht meritë e tyre”, theksoi Nuhiu për SuperSport.
Ai ka kërkuar nga lojtarët e tij të vazhdojnë me këtë ritëm.
“I përgëzoj futbollistët për lojën e treguar në çdo aspekt. Kërkoj vazhdimisht nga futbollistët për të dalë në mundësi shënimi, nuk ka rëndësi edhe nëse e humbet, por kërkoj vazhdimisht nga ta që të krijojnë në fazën ofansive. Sot kam mbetur jashtëzakonisht i kënaqur me atë se çfarë treguan djelmoshat në fushën e lojës”, përfundoi Nuhiu.
Drita me fitoren e sotme ka arritur në kuotën e 41 pikëve.