Stinori pranveror në futbollin kosovar nuk filloi në mënyrën më të mirë të mundshme për kampionin në fuqi të Kosovës, Dritën.
Skuadra gjilanas u eliminua në çerekfinale nga Vëllaznimi në Gjakovë me rezultat minimal 1:0, ashtu sikurse edhe vitin e kaluar. Kjo humbje i kushtoi edhe me punë trajnerit shqiptar, Shpëtim Duro.
Duro një ditë pas humbjes nga gjakovarët ofroi dorëheqjen, kërkesë të cilën e aprovuan drejtuesit e klubit gjilanas. Drejtimin e Dritës, të paktën përkohësisht e mori ndihmësi i Duros dhe ish-trajneri i FC Shkupit, Ardian Nuhiu, i cili po shijon momente të mira te Drita, shkruan gazeta “Zëri”.
Xhiron hapëse të stinorit pranveror në Superligën e Kosovës djelmoshat e Nuhiut e nisën me një derbi kundër Gjilanit, të cilin ia dolën ta fitojnë me rezultat, 3:1. E natyrisht kjo fitore është një motivim shtesë për futbollistët e Dritës e në veçanti për trajnerin Ardian Nuhiu, i cili në bazë të rezultateve në vazhdim të stinorit mund t’i bindë drejtuesit e klubit që t’ia vazhdojnë kontratën.
Në një prononcim për gazetën “Zëri” Nuhiu fillimisht ka folur për fitoren kundër Gjilanit në fundjavë. “Kisha pak kohë që e mora drejtimin e skuadrës, por i kisha njohur lojtarët pasi isha pjesë e stafit. Mendoj se derbin ndaj Gjilanit e kemi menaxhuar shumë mirë, kemi luajtur shumë mirë, kemi krijuar raste dhe në fund ia dolëm të fitojmë”, u shpreh fillimisht Ardian Nuhiu.
Tutje, ai thotë se ndihet i privilegjuar që drejton një skuadër si Drita, që sezonin e kaluar ia doli ta fitojë titullin kampion. “Jam i privilegjuar që e drejtoj skuadrën kampion, pasi kampion nuk mund të shpallesh rastësisht. Djelmoshat e kanë merituar këtë. Brenda grupit mendoj se ka shumë kualitet”, vlerësoi Ardian Nuhiu.
Me eliminimin nga Kupa e Kosovës dhe me vendin e pestë në renditjen tabelore të Superligës, 16 pikë larg liderit, Feronikelit, shpresat e Dritës për ndonjë titull këtë sezon janë shuar, por Nuhiu thotë se objektivi i skuadrës së tij është të renditet sa më lart në tabelë. “Objektivi i skuadrës është që t’i marrim ndeshjet një nga një dhe të renditemi sa më lart në renditjen tabelore”, përfundoi Ardian Nuhiu.