Ardian Nuhiu ka bërë thirrje nga konferenca për shtyp drejtuar futbollistëve të tij që të kenë fokusin maksimal ndaj Dukagjinit në sfidën e fundjavës.
Tekniku Nuhiu ka theksuar rëndësinë e veçantë që ka kjo përballje dhe ndaj një kundërshtari tejet të vështirë siç është ai ndaj Dukagjinit.
“Jemi të vetëdishëm për rëndësinë e duelit të nesërm, pasi që përballemi me një ekip të fortë që ka një përbërje të kombinuar për shkak të disa futbollistëve që janë me eksperiencë dhe disa futbollistëve të rinj të cilët po dëshmojnë vetën në këtë kampionat. Është një kundërshtar vështirë i thyeshëm dhe kjo është dëshmuar. Kam besim maksimal në vete dhe hyjmë shumë të përgatitur në këtë përballje. Kishim një javë të plotë për ta përgatitur ndeshjen dhe do të futemi në ndeshje me mentalitetin e duhur. Besoj te uniteti i grupit dhe jam i bindur që do të bëjmë të gjithë maksimumin për të dalë mirë nga kjo ndeshje”.
Referuar pyetjes në lidhje me kritikat e ardhura nga studiot televizive, trajneri Nuhiu ishte tejet i kjartë, duke dërguar kështu një tjetër mesazh për gjithë zërat që vijnë jashtë fushave të blerta.
“Përgjegjësi për punën dhe rezultatet jap vetëm te drejtuesit e klubit. Kur kemi nisur këtë projekt në tavolinë kanë qenë presidenti dhe drejtuesit dhe jo opionistët e studiove televizive. Ne kemi mbështetjen maksimale nga drejtuesit dhe është shumë e rëndësishme se nga kush vjen burimi. Kemi aq shumë për për të bërë në këtë klub dhe më vjen mirë që ekipi po përmisohet dhe është në rrugën e duhur. Ne vetëm shohim punën tonë, të bashkuar dhe drejt synimeve tona”.
Nuhiu gjithashtu ka potencuar rëndësinë e rezultateve, pasi që grupi duhet të vazhdojnë ecurinë e nisur në dy xhirot e para kampionale.
“Futbollistët treguan karakter duke fituar një ndeshje ndaj kampionit në fuqi me dominim dhe sidomos pas një eleminimi të hidhur në kupë. Kemi arritur të marrim maksimumin e pikëve në këtë fazë të dytë të kampionatit ndaj kundërshtarëve të cilët kanë ndërtuar rishtazi ekipet e tyre ndër vite dhe kjo flet mjaftueshëm për kualitetin tonë të grupit. Përballja e nesërme kërkon përqendrim dhe përkushtim. Kemi marrë mësimet e duhura nga dy ndeshjet e kaluara dhe shpresojmë ti bëjmë gjërat më mirë dhe mos ti përsëritim ato gabime”.
Në fund Nuhiu ka dhënë mesazhin e duhur për këtë ndeshje.
“Do të futemi me respektin më të madh për kundërshtarin, por pa nënvlerësuar vlerat dhe cilësitë që ka ekipi ynë”.
Takimi ndërmjet Dukagjinit dhe Gjilanit zhvillohet të dielën me fillim nga ora 13:00 në stadiumin “18 Qershori” në Klinë.