Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) e ka refuzuar kërkesën e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, për anulimin e vendimit rreth tenderit për renovimin e Stadiumit të Qytetit.
Hyseni, në një kërkesë të tij drejtuar OSHP-së më 19 gusht, ka kërkuar që të shpallet nul vendimi i Panelit Shqyrtues që e anuloi procesin tenderues të Komunës së Gjilanit për renovimin e stadiumit dhe e obligoi Komunën që të shpall tender të ri.
Një përpjekje e kotë dhe absurde kjo e kryetarit Hyseni, duke marrë parasysh se Komuna e Gjilanit, ai autoritet kontraktues, është palë në këtë proces.
Siç e parasheh Ligji, edhe OSHP-ja e ka refuzuar këtë kërkesë të Hysenit.
OSHP-ja, në përgjigje të kërkesës së Hysenit, e ka njoftuar Komunën e Gjilanit se vendimi i Panelit Shqyrtues shpreh bindjen e lirë të panelit dhe se ai nuk mund të ndryshohet.
“Në përgjigje të kërkesës, Organi Shqyrtues i Prokurimit ka njoftuar Komunën e Gjilanit, se në bazë të nenit 105 lidhur me nenin 106 dhe nenin 117 të LPP-së, pas shqyrtimit të të gjitha provave ka nxjerr Vendimin PSH. Nr. 2024/0521,i cili shpreh bindjen e lirë dhe pavarësinë profesionale të Panelit Shqyrtues dhe pas marrjes së vendimit i njëjti është publikuar në ueb faqen zyrtare oshp@rks-gov.net”, ka thënë OSHP-ja në një përgjigje me shkrim për Paparacin.
Siç e parashohin procedurat, OSHP-ja ka thënë se palët e pakënaqura mund të ushtrojnë padi kundër vendimit në Gjykatën Komerciale.
“Pjesë përbërëse e çdo vendim të OSHP-se është edhe këshillën juridike, ku pala e pakënaqur mund të ushtrojnë Padi në afat prej 30 ditësh nga data e pranimit të vendimit në Gjykatës Komerciale/Departamentit për çështje Administrative në Prishtinë”, ka thënë OSHP-ja.
Paparaci, raportoi të martën për kërkesën e kreut të Komunës së Gjilanit rreth procesit tenderues.
Por, para se të veprojë siç obligohet me ligj, pra sipas vendimit të OSHP-së që është obligativ për të gjitha institucionet, Alban Hyseni ka zgjedhur një rrugë pa krye. I ka bërë presion Panelit Shqyrtues të Prokurimit që ta shpallë të pavlefshëm vendimin e saj.
Në kërkesë, kryetari Hyseni i ka kërkuar OSHP-së që t’i lejohet vazhdimi i procesit të tenderit, sipas vendimit të 31 korrikut në të cilin ishte shpallur fituese oferta e konsorciumit “Demiri Gartenbau Gmbh” në vlerë mbi 14 milionë euro.
Pra, ndonëse është palë në proces, Komuna e Gjilanit i ka kërkuar OSHP-së që të shfuqizojë vendimin dhe të mos i japë të drejtë ankesës së kompanisë ‘Euro Construktion’.
“Sipas nenit 104, nenit 105 par.2.15 dhe nenit 117 te LPP-së lidhur me nenin 24 te Rregullorës të Punës se OSHP-se dhe nenit 53 dhe 57 paragrafi 1 dhe 2 te Ligjit nr. 05L-002 per Procedurën e Pergjithshme Administrative, te merret vendim me te cilin do te refuzohet si e pabazuar (si pale pa interes) për shqyrtim ankesat e OE ‘Euro Construktion’ N.N.P lidhur me këtë aktivitet prokurimi dhe AK-së t’i lejohet vazhdimi i procesit sipas Njoftimit mbi Vendimin e AK-së të datës 31.05.2024”, thuhet në kërkesën e Komunës së Gjilanit.
Komuna e Gjilanit ka thënë se Paneli Shqyrtues ka nxjerrë vendim të pabazuar në gjendjen faktike. Kësisoj, ka kërkuar nga Bordi i Organit Shqyrtues të Prokurimit që të anulojë vendimin.
“Duke marrë parasysh te gjitha faktet dhe argumentet e përmendura më lart, ne kërkojmë nga Bordi i OSHP-se që të anulojë vendimin për anulim të aktivitetit të prokurimit dhe te ri-tenderimit të projektit ‘Renovimi i Stadiumit te Qytetit të Gjilanit’”, thuhet në kërkesë.
“Ne jemi të bindur se vendimi i PSH-së është i pabazuar dhe në kundërshtim me ligjin”, thuhet tutje në kërkesë.
Vlera e tenderit për renovimin e stadumit të këtij qyteti ishte paraparë 15 milionë euro.
Ndryshe, renovimi i stadiumit të qytetit ishte pezulluar edhe në muajin mars të këtij viti.
Ndërkohë, dy klubet e suksesshme kosovare të këtij qyteti, Drita e Gjilani që disa vite tashmë kanë mbetur “pa shtëpi”, shkaku që stadiumi i Qytetit ishte paraparë të niste të ndërtohej qysh në vitin 2017.