Që nga paslufta, për 19 vite me radhë në hyrje të Kosovës kërkohet nga bashkatdhetarët të paguajnë Policën Kufitare për makinat e tyre. Prej vitit 2002 e deri në nëntor 2016, kompanitë e sigurimeve Kosovare, kanë mbledhur rreth 148 milionë euro nga tarifat e sigurimit kufitar, kryesisht nga mërgimtarët. Këto miliona të cilat janë grumbulluar vite me radhë dhe nuk i kanë sjellë asnjë dobi shtetit tonë, përvecse disa persona janë pasuruar pa masë.
Nuk duhet harruar se çdo mërgimtar që vjen nga diaspora në Kosovë, zotëron një Sigurim Internacional (Kartën e Gjelbërt), e cila ju garanton një sigurim me një mbulesë prej afër 8 milion euro për një person në rast të një aksidenti fatal. Kurse, sigurimi I detyruar në hyrje të Kosovës mbulon jo më shumë se një shifër qesharake prej disa mijra eurosh për person dhe në shumë raste nuk mbulon asgjë!
Kjo është e papranueshme që bashkatdhetarër tanë të cilët jetojnë në diasporë tju vihet edhe kjo barrë kur ata janë kontributi më i madh që Kosova ka. Përllogaritjet e ekspertëve cmojnë se kontributi i diasporës arrin afër 750 milion Euro në vit.
Unë kërkoj nga kjo Qeveri që menjëherë të ndërpriten këto Tarifa të Sigurimeve ndaj bashkatdhetarëve tanë të cilët janë duke kontribuar pamasë për vendin.
Kurse për milionat e mbledhura nga kjo Tarifë e Sigurimeve, duhet të themelohet një grup i pavarur dhe të hulumtojë keqpërdorimin e tyre dhe nëse verifikohen shkelje, të gjithë ata që rezultojnë të implikuar të dërgohen prapa hekurave.