Shkruan: Dr. Baftijar Kryeziu
Jeta ka baticat dhe zbaticat e saj. Ka të mirat dh të këqijat. Ka përpjetat dhe tatëpjetat. Ka gëzimet e pikëllimet… Ndaj, qëndrimi i njeriut dhe i njerëzve të formuar – duhet të jetë në sinkron me to, me mend e me vend. Por a mendojmë dhe veprojmë ne kështu gjithmonë ndaj këtyre sfidave të jetës? Unë them se jo. As kur duhet të veprojmë e as kur duhet të mos veprojmë. Ndoshta është faji i edukatës, kulturës, formimit tonë, apo i ndonjë gjeni që na ka përcjellë e po na përcjellë edhe sot e tërë ditën! Vetëm disa raste, të viteve të fundit, që po i shohim e përjetojmë, mjaftojnë që të përligjin këto mendime që shpërfaqëm këtu. Çka e si?
1. Cenohet shteti: sovraniteti e integriteti. Kanoset Vuçiqi e Vuçiqat edhe me luftë. Ne heshtim, heshtin pothuajse edhe mediet e shkruara dhe ato elektronike. Heshtin organet shtetërore. Hesht edhe popullata jonë, sikur nuk po thuhet e nuk po ndodhë asgjë. S’ka madje asnjë protestë nga ne. Kemi harruar vitet e ’60-ta, ’70-ta, ’80-ta e ’90-ta, kur trandej edhe vendi, ish-Jugosllavia e Serbia, nga protestat e të rinjve tanë e popullata jonë, por ne sot heshtim, pa përdorur madje asnjë mjet demokratik të reagimit e revoltës!
Kështu nuk duhet.
2. Deklarohet akëcili ndërkombëtar a emisar i huaj se Kosova duhet të bëjë këtë e atë: deshi – nuk deshi, dhe ne, heshtim, sikur të mos ishte thënë asgjë që nuk është e papranueshme, në vend se të ketë reagime ndaj qëndrimeve të tilla, qofshin edhe nga miqtë tanë. Ata kështu edhe e masin pulsin tonë, kurse ne ose i turremi Qeverisë e Kryeministrit, që këta të reagojnë, thuajse Kosova është vetëm e Qeverisë dhe e Kryeministrit, ose ne prapë bëjmë vetëm sehir!
As kështu nuk duhet.
3. Edhe pas 24 vjet nga përfundimi i luftës dhe 15 vjet nga Pavarësia e Kosovës, nuk ka liberalizim të vizave! Liberalizohen vizat për qytetarët e Serbisë, të atij shteti i cili bëri 4 lufta me dhe në republikat e ish-Jugosllavisë: Slloveni, Kroaci, Bosnjë e Kosovë, madje në Bosnjë e Kosovë bëri edhe gjenocid të pastër etnik. Francezët vetëm për shkak të zgjatjes së kohës së pensionimit, po e trandin edhe shtetin e vet, kurse ne, të bllokuar me dekada heshtim, sikur jemi populli me të drejtat më të mëdha në rruzullin tokësor!
Kështu nuk duhet.
4. Paguhen borxhet e serbëve me vite të tëra, për rrymë, ujë, bërllok…, nga shqiptarët taksapagues, të pasur a të varfër, dhe ne heshtim, dhe heshtim!
Kështu nuk duhet.
5. Serbët e punësuar, paguhen nga dy burime: nga organet shtetërore të Kosovës dhe nga ato të Serbisë, madje paguhen ose janë paguar edhe ata që me vite nuk kanë qenë as në vendet e tyre të punës, se të punojnë jo se jo dhe reagimet tona kanë qenë e edhe sot janë zero!
Edhe kështu nuk duhet.
6. Shkojnë deputetët tanë në Parlamentin e Kosovës, “punojnë” sa të duan, kur nuk ju pëlqen – e lëshojnë seancën pa fije obligimi e do të thoshim edhe morali, ndoshta që për ato pika të rendit të ditës që nuk shqyrtohen, ua kënda, të marrin edhe një mëditje tjetër që të arrijnë pagën njëmujore të një nëpunësi, mësuesi etj., dhe, assesi të ndërrohet Rregullorja për një rregull e rend tjetër. Askush nuk e detyron askë të votojë atë që nuk e sheh të arsyeshme të votojë, por jo të ikë “nga vendi i punës” pa farë përgjegjësie. Po ta lëshonte nëpunësi zyrën e tij – do të ndëshkohet. Po t’i humbte mësuesi orët me nxënës fshati a qyteti do të alarmohet, kurse deputeti, qoftë edhe ai i padisiplinuari, mund edhe të dekorohet!
As kështu nuk duhet.
7. Një numri studentësh të diplomuar në Fakultetin e Edukimit të UP-së në degët: anglisht, gjeografi, histori, në qendrat – degët e këtij fakulteti: në Gjilan, Prizren e Gjakovë, edhe pas sa vitesh nuk mund t’i realizojnë të drejtat e tyre për studime jashtë Kosove, ngase nuk ju jepet vula apostile (sikur të tillët studimet t’i kishin kryer nëpër berberhane e jo në institucione publike të UP-së), kur dihet se ato diploma janë vulosur nga dekani i Fakultetit të Edukimit në Prishtinë dhe rektori i UP-së, sikur për çdo student tjetër të këtij fakulteti. Theksuam se vetëm një numri po i mohohet kjo e drejtë për marrjen e këtij “myhyri”, sepse ata me shpinë të fortë, siç pati deklaruar më herët zoti Iamajl Kurteshi, kryetar i Komisionit për Arsim në Parlamentin e Kosovës, kaherë kanë mbaruar punë dhe, organet shtetërore përkatëse edhe për këtë padrejtësi heshtin!
Kështu nuk duhet.
8. Ka studentë të cilët kanë përfunduar studimet jashtë Kosove, kryesisht në ato degë të cilat nuk ekzistojnë te ne, me qëllim punësimi më të lehtë, si p.sh. dega për dietë, specializimi në implantologji e për disa profile të tjera dhe diplomat e tyre nuk pranohen në Kosovë – nuk nostrifikohen, as edhe ato nga Shqipëria, ani se ka do vendime qeverish të dy shteteve tona, se këso problemesh nuk do të ketë. Studentët e tillë kanë menduar se marrja e diplomave në degë atraktive, jo se do t’ju ndihmojnë vetëm atyre, por si ekspertë të rrallë, do të jenë të dobishëm edhe për shoqërinë tonë, por as kjo nuk përfillet nga shteti ynë. Në vend të diplomuarit në degën e dietës, punën e dietologut e kryen ai i bujqësisë, sikur fjala të ishte për dietë të kafshëve e jo të njerëzve. Punën e implantologut e kryen çdo dentist, ndesh ligjit, e organet tona shtetërore bëjnë sehir!
Kështu nuk duhet.
9. Zgjedhja e stafit akademik në disa universitete pa farë kriteri; zgjedhja e stafit akademik për angazhime nga komisione (jo profesionale) edhe për më shumë kurse (lëndë mësimore); angazhimi i mësimdhënësve në fusha joprofesionale sa për të krijuar normë mbi normë – honorar për dostat e dikujt; angazhimi i mësimdhënësve edhe në mbi 10 lëndë mësimore në një universitet e edhe goxha shumë orë në një universitet tjetër; nostrifikimi i diplomave në MASHT, edhe kur nuk duhet (ka mbaruar baçelor për mësues, ka studiuar psikologji në master, ka doktoruar diku privat për histori) dhe: profesor universiteti!!!
As kështu nuk bën.
10. Tolerimi dhe mosmarrja e masave përkatëse ndaj profesorëve të diplomuar me doktorata plagjiaturë, një numër syresh veç qenë identifikuar më herët, ndaj të cilëve ka pasur reagime edhe nga studentët, por jo edhe nga organet e universiteteve tona, e as nga MASHT-i; udhëheqja (mentorimi) edhe deri e 40 studentëve bachelorë në diplomë për dy afate, ose edhe për një afat; mospërfillje të kurrfarë ligjit nga kolegjet universitare private me rastin e pranimit të studentëve (pa përgatitje të duhur) edhe pa provime pranuese, madje regjistrim edhe në muajin prill, siç ka pasur e ndoshta ka raste të tilla edhe tani e lëshime të tjera ndesh çdo norme ligjore!
Edhe këto dukuri nuk duhen lejuar kështu.
Janë këto vetëm disa “plagë” e padrejtësi tona, nga shumë syresh, që duhen shëruar, mënjanuar e ndëshkuar. Sa më parë, aq më mirë – mendojmë ne.