Në Kosovë, kryeqyteti, Prishtina nuk është qyteti me ajrin më të ndotur në Kosovë. Sipas kryeshefit të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit (AMM), Ilir Morina, Gjilani është komuna me ajrin më të ndotur.
Sipas Morinës, në Prishtinë, Obiliq, Fushë Kosovë deri në Lipjan, jo në çdo periudhë shkaktar i ndotjes së ajrit është KEK-u, pavarësisht se si burim i ndotjes në përgjithësi, qëndron si shkaktar i parë.
“Brenda dy-tri javëve të fundit më i ndotur ka qenë Gjilani, në bazë të aparaturave tona, se Prishtina. Prizreni, ende nuk ka pasur tejkalime apo ndotje që rrezikon sado pak shëndetin e popullatës, është në të gjelbër. Prishtina, në dy stacione ka dallime. Stacioni jonë, tek ndërtesa Rilindja ka ndotje më shumë sepse është në qendër të Prishtinës, kurse stacioni tek instituti hidrometeorologjik më në periferi është për një nuancë më e lehtë. Pastaj, Hani i Elezit, ka ditë që është, ndoshta aty është pak edhe ndërtimi i rrugës, ka ndotje mjaft ekstreme”, ka thënë Morina për Ekonomia Online.
Kryeshefi i AMM-së, ka thënë se burimet e ndotjes nuk janë duke u zvogëluar, mirëpo sipas tij, gjithçka varet nga moti. Ai ka thënë se ka pasur dyfishim të tejkalimeve të standardeve të ndotjes së ajrit, por që megjithatë nuk janë ekstreme.
Sipas tij, duhet investuar më shumë në kogjenerimin e energjisë, në shfrytëzimin e formave të ndryshme të energjisë, qoftë edhe të energjisë elektrike, kurse është shprehur se nuk po bëhet sa duhet as nga komunat që të parandalojnë ndotjen e ajrit, si atë nga format e ngrohjes gjatë sezona së dimrit.