Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka folur rreth ardhjes së vaksinave kundër COVID-19 teksa Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që ende nuk ka nisur me procesin e vaksinimit kundër koronavirusit.
Zemaj, në një intervistë për KK, ka thënë se vaksinat kundër COVID-19 pritet të vijnë në Kosovë në periudhën mars-maj. “Po presim realizimin e ardhjes. Shkurti ishte një datë e konfirmuar se arrijnë vaksinat. Në periudhën mars-maj, COVAX ka njoftuar se do të shpërndahen për Kosovën 100 800 vaksina, por vazhdojmë tutje të jemi të angazhuar edhe me partneritete të tjera, me shtetet mike, me Pfizer dhe prodhuesit e tjerë të vaksinave për të siguruar sa më shumë vaksinat kundër COVID-19”.
Teksa u premtua se këto vaksina do të vijnë në muajin shkurt dhe një gjë e tillë nuk ndodhi, Zemaj nuk fajëson ministrinë që ai drejton dhe as institucionet tjera.
“Fakti që deri tash nuk i kishim vaksinat nuk kishte të bënte as me buxhetin, as me mungesë angazhimi dhe aq më pak me mospërmbushjen e kushteve dhe kritereve të kërkuara nga secili prodhues dhe shtet që të kualifikohemi për ta siguruar vaksinën. Madje, as një projekt i vetem që lidhet me COVID-19 nuk ka mbetur pa u realizuar për mungesë buxheti, pavarësisht rrethanave”, ka thënë Zemaj.