Në mungesë kuorumi, nuk ka kaluar në Kuvend projektligji i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje që ia kufizon Devollëve monopolin në homologimin e veturave.
Nga 41 deputetë sa morën pjesë në votim, pro këtij projektligji kanë votuar 30 deputetë, 10 kanë qenë kundër, ndërsa një ka abstenuar.
Paraprakisht, deputeti i LVV-së, Hekuran Murati, i cili ka propozuar ndryshimin e Ligjit për Automjete, ka thënë se ata që votojnë kundër heqjes së homologimit, janë pro monopolit të Devollëve.
Murati deklaroi se me votimin e ndryshimit të Ligjit për Automjete, fillon shkapja e shtetit.
“Me këtë projektligj, këtij grupi i prehet një damar i kapjes së shtetit dhe fillon shkapja. Ky projektligj e ka vetëm një nen. Ata që janë kundër këtij projektligji janë pro mbrojtjes së interesave të Devollit. Është Republika vs. Devolli”, ka deklaruar Murati.
Murati tha se për shkak të homologimit, po bëhet zhvatje vjetore deri në 4 milionë euro.
“Homologimi është i panevojshëm, përbën barrierë tarifore. Kemi të bëjmë me zhvatje vjetore deri në 4 milionë euro dhe ato i shkojnë vetëm një kompanie”, ka thënë Murati.
Kundër heqjes së homologimit ka dalë Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
Bajrush Xhemaili, deputet i PDK-së, ka thënë në seancën e sotme të Kuvendit se janë kundër ndryshimit të Ligjit për Automjete që do të nënkuptonte heqjen e homologimit për vetura.
Sipas PDK-së, ky ligj i propozuar nga VV-ja është i varfër e se me votimin e tij nuk do të hiqet monopoli.
“Ky draft ligj është i varfër dhe si i tillë nuk ua merr homologimin atyre që e kanë sot as nuk e heq monopolin. Edhe në këtë projektligj mbetet në dorë të ministrave që t’ua jap autorizimet kompanive përkatëse. Nuk hiqet taksa që ka kosto 1.8 milionë për qytetarë. Që kur është incicuar homologimi ka qenë në mungesë të transparencës”, ka thënë ai.
“Ky ligj është i mangët, sepse nuk ka transparencë, nuk eliminohet monopoli, nuk rregullohen standardet dhe kriteret. Ky projektligj nuk e ul çmimin për uljen e homologimit. PDK-ja mendon që ky vend në mes të sigurisë rrugore dhe interesin e qytetarëve të hartohet një ligj ku mbrohet interesi qytetar”, ka thënë Xhemaili derisa ka folur në emër të grupit parlamentar.
“Në emër të grupit parlamentar të PDK’së propozoj që të hiqet ky ligj që ta përmirësojmë ashtu siç duhet, për një pjesë të mediave, që kanë shkruar për punën e mediave, që thotë se përfaqësuesi i PDK’së unë në komision gjoja kam votuar kundër heqjes siç thonë Devollët, është gënjeshtër e kulluar pasi që këto që i thash sot në Kuvend, i thash edhe sot”, ka thënë ai.
Kurse, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës LDK, Arben Gashi ka pasur një sërë vërejtjesh për projektligjin lidhur me kufizimin e homologimit të veturave, të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Sot kemi para vetes një projektligj shumë të thjeshtë, fatkeqësisht shumë keq të arsyetuar dhe gabimisht të shkruar”, ka thënë Gashi, teksa ka lexuar disa nga pikat e projektligjit, duke ia bashkangjitur vërejtjet që i ka pasur.
Madje, një pikë e këtij projektligji, sipas Gashit është antikushtetues.
“Pika pasuese: Lista e shteteve të përcaktuara në paragrafin 1.19 të këtij neni mund të ndryshohet ose plotësohet nga ministria me miratimin e komisionit përkatës parlamentar. Kjo është antikushtetuese. Komisioni parlamentar nuk mund të marrë vendime në emër të Kuvendit. Kuvendi vendimet i merr në seancë”, ka thënë Gashi.
Për LDK-në, projektligji i propozuar nga LVV ka hapësirë për interpretime, ndërsa ka shtuar se duhet të rishikohet në tërësi. Deri atëherë, ka theksuar se ky projektligj nuk votohet nga deputetët e LDK-së.
“Duhet të sjellet dhe të rishikohet në tërësi… Ky mendim nuk ka mendim të Qeverisë dhe ne përmbahemi nga votimi”, ka thënë Gashi.