Dhe jo rastësisht zgjodha të pres deri sot për ta bërë falenderimin publik për zgjedhjet e 9 shkurtit, sepse këto zgjedhje përpos garimit politik ishin shumë më shumë se aq.
Ishin përvojë në vete, rritje njerëzore, mësime, njohje të reja, e ndër këto dhe ndjeshmëri substanciale mbi atë se si njerëzit funksionojnë si tërësi, grupim e masë. Çka ata duan, çka ata kërkojnë e çka ata vlerësojnë!
Padyshim që përtej privilegjit për të garuar në këtë proces zgjedhor, ai i ka pasur edhe sfidat e mëdha përgjatë rrugës, dhe këtu dua të dal e të reflektoj si grua e nënë e re.
Ndonëse takimet e çdoditshme, tubimet e përnatshme, bisedat e vazhdueshme e telefonatat që më frymëzonin më shumë, nuk mund ta mohoj ndjenjën e fajit që nganjëherë më kaplonte, besa jo pak herë, kur nuk mund të kujdesesha mjaftueshëm për vajzën time të vogël, sepse pothuajse çdo mbrëmje e gjeja në gjumë! Dhe ndonjëherë maksimumi që mund të japësh diku, është ai i krijuari brenda rrethanave personale e private.
Përtej të gjithave, një diçka që personalisht do ta vlerësoj gjithë jetën është gatishmëria e grave për t’u marrë me jetën publike-politike, e në veçanti garimi si proces, sepse në të vërtetë nuk ishte ashtu siç nga jashtë kemi mundur ta shohim të gjithë. I përjetuar ishte krejt ndryshe: dinamik, energjik, pa orar e ndonjëherë edhe pa pardon. Ndonëse edhe historia na ka treguar por edhe jeta na ka mësuar që kontributi i grave shqiptare në çdo segment të shoqërisë sonë është i pashoq, si në familje e mbarëvatje të saj, si në punë e profesion, si në okupim e liri, si në shtetndërtim e demokraci, edhe në garë ishte i tillë.
Takova shumë zonja e zotërinj të rrallë. Dëgjova histori të ndryshme; u pasurova me përvojën e rrallë të trashëgimisë sonë të nduarduarshme, nga gra e burra.
Prandaj, ndjehem e fituar, ndjehem e plotësuar e mbi të gjitha ndjehem krenare për besimin e çiltër që më është ofruar, pa asnjë kusht.
Mbi të gjitha, në këtë ditë botërore të gruas, dua t’i falenderoj të gjitha zonjat e zotërinjtë që ja sollën vendit lirinë e sigurinë, që ne ta kemi demokracinë e pavarësinë në rend të parë, e më pastaj të jemi këtu ku jemi sot të gjitha e secila prej nesh.
Të lira, të shkolluara, të sigurta, të respektuara, të vlerësuara e gradualisht edhe të barabarta, sepse ende kemi mundësi për #Mamirë!
Faleminderit të gjithëve! ❤️🌹