Procesi i rinumërimit të votave po shkon drejt fundit. Sipas Komisionit Qendror Zgjedhor, tash kanë mbetur vetëm edhe 100 vendvotime pa u rinumëruar. Mirëpo, nuk përjashtohet mundësia që të ketë rinumërime të reja.
Koordinatori i QNR’së, Burim Ahmetaj, ka thënë se nuk përjashtohet mundësia që të ketë përsëri rinumërim në vendvotime tjera, nëse ka pasur parregullsi.
“Pjesa më e madhe e vendvotimeve për shkak të mospërputhjes në bazën e të dhënave tashmë veçse janë sjell këtu për t’u rinumëruar. Kjo është pjesa më e përgjithshme, pjesa më e madhe që ka pasur probleme. Aktualisht nuk kemi ndonjë vendvotim që mund të ketë probleme të natyrës së njëjtë, mirëpo para se të finalizohen të gjitha rezultatet do t’i bëjmë të gjitha kontrollet e më shumë se 250 mijë vendvotimeve, qoftë votat për subjektet, qoftë për kandidatët, në mënyrë që t’i kemi të gjitha rezultatet dhe të dhënat e sakta. Nuk përjashtohet mundësia që mund të dalë ndonjë vendvotim nga këto kontrolle, mirëpo në këtë sasi çfarë e kemi pasur deri më tani nuk do të ketë. Pasi t’i bëjmë kontrollet do të shohim se gjithçka përputhet atëherë ndoshta edhe nuk do të ketë, mirëpo ndoshta edhe mund të ketë”, ka thënë Ahmetaj.
Ndryshe, nga 529 vendvotime sa kanë shkuar në rinumërim, 149 vendvotime kanë shkuar në rinumërim për shkak se shënimi ka qenë jo i saktë i subjekteve politike, ndërsa 24 vendvotime me probleme teknike të cilat nuk kanë mundur të procesohen në bazën e të dhënave.
Po ashtu, në rinumërim kanë shkuar edhe 81 vendvotime ku subjekti nuk ka pasur vota ndërsa kandidatët kanë pasur vota, pastaj 89 vendvotime rinumërohen, pasi kandidati ka më shumë vota se subjekti dhe 187 ku kandidatët kanë më shumë vota se sa subjekti.