Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një intervistë sontme foli për marrëdhëniet me SHBA-në dhe për deklaratat e fundit të emisarit Grenell.
Ai tha se mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka marrëdhënie partneriteti duke theksuar se “jemi miq edhe përkundër moskuptimeve”.
“Kurrë s’ka qenë pasaporta e Kosovës më e fuqishme, kemi liberalizim veç zonës Shengen, kush e mori grantin më të madh amerikan, qeveria jonë, kush po blen helikoptera, sistem antitank, qeveria jonë. Çfarë më të këqija?! Është vëzhgim sipërfaqësor”, tha Kurti.
Por Kurti u sfidua nga gazetarja Grida Duma e cila e pyeti se cili është zyrtari i fundit amerikan që ka takuar së fundmi.
“Nuk janë marrëdhënie të këqija politike, janë partneritet, përpara kanë qenë ose armiqësi ose servilitet, unë jam për normalitet, partneriteti është normalitet, ne jemi miq edhe përkundër moskuptimeve, kurrë nuk mund të jesh miq me dikë nëse parakushti është që të pajtohesh me gjithçka tërë kohën”, u përgjigj Kuri tutje.
Kurti tutje sulmoi opozitën duke i quajtur “broçkulla opozitare”.
“Nuk është e vërtetë, po lej këto broçkulla opozitare, ata shkojnë deri në Amerikë për të luftuar qeverinë Kurti, kjo tregon sa të dobët janë dhe sa i fortë jam unë. Kurrë nuk kemi pas marrëdhënie më të mira partneriteti dhe aleance me Perëndimin se sa tani, dua të mësohen njerëzit, nuk mund ta kem qëndrimin për Republikën e Kosovës dhe për kombin shqiptar siç e ka Brukseli dhe Washingtoni, unë e kam më të avancuar”, tha Kurti.
Duma: Është i avancuar një komb i izoluar?
Kurti: Po çfarë izoluar, ku e sheh izolimin.
Duma: Nuk ke më njohje të Kosovës, e fundit ishte nga Izraeli, kur qeveriste LDK.
Kurti: Kemi më shumë mbështetje marrim nga jashtë tani.