Në 205 ka shkuar numri i personave të helmuar me ushqim nga një lokal në komunën e Malishevës.
Kjo u konfirmua për Gazetën Online Reporteri.net nga Drejtori i QKMF-së të kësaj komune, Afrim Krasniqi.
“Numri është rritur në 205 ku disa prej tyre po trajtohen edhe në shtëpi, e disa në Prizren e Prishtinë. Simptomat janë me të vjella, temperaturë, ethe por gjendja e tyre është e mirë”, tha Krasniqi.
Rastet e para të helmimit u paraqitën pranë QKMF Malishevë mbrëmjen e së premtes.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë tashmë ka marrë vendim për mbylljen përkohësisht të lokalit në fjalë e ku poashtu ka asgjësuar 60 kilogramë mish.
Zëdhënësi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Lamir Thaçi, ka thënë të shtunën në një konferencë për media se agjencia ka kryer inspektim të detajuar në biznesin e dyshuar.“Gjendja e përgjithshme sanitare, higjienike ka qenë e nivelit jo të mirë. Ky vlerësim është bërë nga ekipi inspektues. E dyta, nuk kanë pasur libreza sanitare punonjësit e atij lokali, që sipas ligjit kërkohet t’i kenë. Nuk ka pasur të kryer dezinfektim, deratizim dhe dezinsektime, që përsëri është kriter”.
“Po ashtu, aty janë gjetur disa produkte që ne i quajmë pa origjinë, nuk kanë pasur dokumentacion mbështetës për t’u ditur origjina e tyre. Ka pasur produkte që janë gatuar brenda asaj kuzhine, dhe këto të gjitha janë fakte që do t’i evidentojmë në proces dhe më pas organet tjera do t’i vlerësojnë”.
Ndërsa Policia e Kosovës ka arrestuar edhe pronarin e këtij lokali, ndërsa Prokuroria ka kërkuar t’i caktohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh pronarit të lokalit./Reporteri.net/