Zëdhënësi i Inspektoratit të Policisë së Kosovës, Arbër Beka tha se është rritur çdo vit numri i ankesave nga qytetarët e Kosovës për zyrtarët policorë.
Gjithashtu, ai bëri të ditur se qendra e thirrjeve të 192 në Prishtinë, trajton më shumë se 1000 thirrje brenda ditës.
“Trendi i numrit të ankesave nga qytetarët për zyrtarë policorë është rritur nga viti në vit. Vitin e kaluar ne kemi trajtuar 2013 ankesa, prej tyre afër 70 përqind janë kthyer në Policinë e Kosovës pasi që nuk ka pasur elemente të veprës penale. Nuk ka masë për ndonjë shqetësim. Në qoftë se llogaritet numri i angazhimeve policore në baza ditore, qendra e thirrjeve të 192 në Prishtinë, trajton më shumë se 1000 thirrje brenda ditës”, tha Beka.
Sipas tij, rritja e numrit të ankesave vjen si shkak i besueshmërisë se qytetarëve ndaj IPK-së.
“Sido që të jetë në kuadër të raportit vjetor të IPK-së, është bërë një analizë se pse kemi një trend të rritjes së numrit të ankesave. Kjo i referohet rritjes së besueshmërisë së qytetarëve ndaj IPK-së, në radhë të dytë ka të bëjë me angazhimet shtesë të punonjëseve të Policisë së Kosovës”, shtoi tutje ai.
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) sot ka shënuar 16-vjetorin e themelimit./Teve1.info./