Një vajzë e moshës 10-vjeçare ka qenë viktima e fundit e cila ka ndërruar jetë më 25 shkurt të këtij viti si pasojë e gripit sezonal në vend. Vdekja e saj ishte konfirmuar nga Komiteti për Grip Sezonal, nga ku ishte thënë se ajo ka pasur edhe probleme kardiovaskulare. Përndryshe, 10-vjeçarja është viktima e 11-të që ka vdekur si pasojë e gripit në vend, shkruan Gazeta “Zëri”.
Në shkollat fillore në vend ende ka nxënës të cilët janë të prekur me gripin sezonal. Drejtori i shkollës fillore “Mihal Grameno”, Ismet Gashi, ka thënë për “Zërin” se zakonisht në këtë shkollë me grip janë të prekur nxënësit e klasës së parë dhe të dytë, por që, siç ka thënë ai, ka edhe të moshave tjera të cilat janë të prekur me grip. Gashi ka thënë se momentalisht ka rënie të fluksit të nxënësve të cilët janë të prekur me grip në këtë shkollë.
“Zakonisht klasat e para dhe të dyta imunitetin e kanë më të dobët, ka edhe nga klasat e tjera, por shumica janë nga klasat e ulëta. Ka rënie, nuk është ai fluksi i disa ditëve që ishte, tani edhe moti është përmirësuar pak. Gjendja nuk është në nivelin alarmues, janë ato gripet ku është normale që imuniteti i fëmijëve të bjerë”, ka thënë ai.
Përndryshe, tashmë nxënësit të cilët janë të prekur me grip obligohen të qëndrojnë në shtëpi për shkak që gripi i tyre të mos u kalojë edhe nxënësve të tjerë.
“Ata që janë në gjendje virusale duhet të qëndrojnë në shtëpi, sepse gripi mund të jetë edhe ngjitës, derisa mjeku u jep leje të vinë në shkollë. Është e arsyeshme, sepse ne duam t’i ruajmë nxënësit tjerë, sepse infektohen edhe të tjerët. Ata qëndrojnë në shtëpi katër ditë ose një javë dhe pastaj kthehen në shkollë”, ka thënë ai.
Masa për mbrojtjen e nxënësve nga gripi sezonal ka marrë edhe Ministria e Arsimit në vend. Valmir Gashi, këshilltar i ministrit të Arsimit, ka thënë për “Zërin” se kanë kërkuar nga drejtorët komunalë të arsimit që të mbikëqyrin situatën e epidemisë në komunat e tyre.
Sipas Ministrisë së Arsimit, fëmijët me grip duhet të qëndrojnë në shtëpi dhe t’i shmangen kontaktit me nxënësit tjerë të shëndoshë.
“Në kërkesën që u është drejtuar drejtorive komunale të arsimit MASHT-i ka kërkuar nga përgjegjësit e të gjitha institucioneve arsimore që fëmijët dhe nxënësit të cilët kanë shenja dhe simptoma të gripit (temperaturë të lartë, lodhje, rrjedhje të hundëve, dhimbje fyti, kollë, barkqitje dhe vjellje, dhimbje koke, barku dhe muskujsh) t’i shmangen kontaktit me nxënës të shëndoshë dhe të qëndrojnë në shtëpi, duke iu përmbajtur rekomandimeve të mjekut”, ka theksuar ai. /Zeri