Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, i ka kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti përparim urgjent për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. O’Brien deklaron se për të ecur përpara duhet zbatimi i marrëveshjeve të arritura përmes ndërmjetësimit të Bashkimit Evropian, transmeton Reporteri.net.
O’Brien thekson se SHBA e mbështet rrugën e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike.
“SHBA mbështet rrugën e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike. Për të ecur përpara, nevojitet zbatimi i marrëveshjeve të ndërmjetësuara nga BE-ja, duke përfshirë përparimin urgjent në Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Sot kam diskutuar hapat pozitivë të nevojshëm me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti”, ka shkruar O’Brien në platformën X.