Spitalet dhe institucionet e kujdesit shëndetësor në të gjithë Ukrainën kanë përjetuar rritje drastike të infeksioneve për shkak të rezistencës ndaj antibiotikëve në javët e fundit, duke bërë që Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Qendra e SHBA-së për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) të paralajmërojnë Kievin se epidemia është potencialisht kërcënim global.
“Kjo është një krizë që kërkon veprim të menjëhershëm, edhe gjatë kohëzgjatjes së luftës, sepse përvoja e ngjashme nga zona të tjera të luftës na ka mësuar se reagimi i vonshëm ndaj kërcënimit të këtij lloji mund të ketë pasoja jashtëzakonisht negative afatgjata jo vetëm për vendasit, por edhe për të gjithë botën”, thuhet në letrën e hapur të institucioneve përkatëse.
Zyrtarët ukrainas të Institutit të Shëndetit Publik kryen kërkime në tre spitale rajonale – Trnopolje, Khmelnytskyi dhe Vinnytsia. Nga 353 pacientë të ekzaminuar, u zbuluan infeksione në 50 prej tyre, pra 14 për qind, të cilat i kanë marrë gjatë qëndrimit në institucionet shëndetësore.
Nga pacientët e infektuar, deri në 60 për qind kishin patogjen rezistent ndaj një game të gjerë barnash. Para luftës, trendi ishte rreth 6 për qind. Zbulimi paraprak i problemit evidentoi një sërë lëshimesh, që nga higjiena e duarve të punonjësve shëndetësorë që trajtojnë plagët e marra në fushën e betejës, deri te “sfidat e shumta” në pajisjet e laboratorëve dhe sallave të operacionit. Gjithashtu, vlerësimi i biosigurisë është në një “nivel nënoptimal”.
Një raport i veçantë nga CDC-ja thotë se deri në gjashtë baktere të veçanta rezistente ndaj ilaçeve u gjetën vetëm në një pacient ukrainas. Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëron se infeksionet e tilla i konsiderojnë si një nga kërcënimet më të mëdha për shëndetin publik global. Sipas të dhënave të vitit 2019, më shumë se 1 milion njerëz në mbarë botën kanë vdekur për shkak të saj.