Organizata Botërore e Shëndetësisë, gjatë muajit nëntor kishte rekomanduar të mos përdoret e ilaçit antiviral remdesivir për trajtimin e pacientëve të infektuar me virusin COVID-19.
Ndonëse infektologët paralajmërojnë efekte anësore me përdorimin e këtij ilaçi, Ministria e Shëndetësisë ua ka lejuar institucioneve shëndetësore që ta përdorin atë.
Përkundër rekomandimit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për mospërdorimin e ilaçit remdesivir, institucionet publike shëndetësore po vazhdojnë t’i trajtojnë pacientët e infektuar me COVID-19 me këtë ilaç.
Nga Ministria e Shëndetësisë nuk e kanë ndaluar përdorimin e këtij ilaçi, derisa këtë ia kanë lënë në dorë klinicistëve.
Ndërsa, këta të fundit po vazhdojnë të ja përshkruajnë atë pacientëve.
Kryeshefi i mjekimit intensiv, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Rexhep Gjyliqi, ka thënë për Express, se disa nga pacientët që janë të shtrirë në intensiv, janë duke përdorur ilaçin remdesivir.
Ai ka thënë se ai i është përshkruajtur pacientëve nga infektologët, para se të transferoheshin në këtë klinikë.
“Ne kemi pacientë që e kanë të përshkruajtur remdesivirin. Pacientët te ne vinë në gjendje të rëndë, andaj atyre remdesiviri ju përshkruhet para se të vijnë te ne”, ka thënë ai.
Gjyliqi është shprehur se nuk është marrë ndonjë vendim për mospërdorimin e tij përkundër reagimeve të OBSH-së, andaj edhe ai po përshkruhet për pacientët.
Ndërsa, infektologu Ilir Tolaj ka kritikuar Ministrinë e Shëndetësinë e cila ia ka lënë në dorë klinicistëve përdorimin ose jo të këtij ilaçi.
Ai ka thënë se blerja e këtij ilaçi nga kjo e fundit dhe lënia në dorë të klinicistëve përdorimi i tij, është ikje nga përgjegjësia.
Tolaj ka deklaruar se secili ilaç mund të ketë efekte anësore dhe këtu nuk bënë përjashtim as remdisiviri i cili mund të shkaktoj dëmtime të mëlçisë e probleme në sistemin kardiovaskular.
“Secili ilaç mund të ketë efektet e veta anësore, të padëshirueshme. Këtu nuk bënë përjashtim as remdesiviri. Në raste të caktuara mund të shkaktojë dëmtim të mëlçisë, dëmtim të veshkave, probleme nga sistemi kardiovaskular, probleme nga sistemi respirator, çrregullime në tensionin e gjakut, çrregullime metabolike, reaksione alergjike”, ka thënë ai.
Tolaj ka thënë se jo vetëm studimi i OBSH-së, por edhe studime tjera nuk kanë gjetur ndonjë efekt pozitiv nga përdorimi i tij, e as efekte në uljen e shkallës së vdekshmërisë së pacientëve.