Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka paralajmëruar se vala ekstreme e të nxehtit në Evropë ka shkaktuar mbi 1,300 vdekje që nga 21 qershori.
Kreu i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka bërë të ditur se Evropa është kontinenti që po ngrohet më shpejt në botë, ndërsa rreth 150 milionë njerëz po përballen me temperatura ekstreme.
“Mbi 1.300 vdekje shtesë janë regjistruar që nga 21 qershori dhe lidhen me temperaturat e larta në Evropë”, shkroi Tedros në rrjetin X.
“Evropa është kontinenti që po ngrohet më shpejt në botë, me ritëm dy herë më të lartë se mesatarja globale. Aktualisht, 150 milionë njerëz jetojnë nën ndikimin e vapës ekstreme – qindra kanë humbur jetën, shkollat janë mbyllur dhe rrjetet energjetike po mbingarkohen”, ka shkruar ai.

