Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) është e shqetësuar për variantin e ri të koronavirusit XBB.1.5.
Varianti i zbuluar në tetor është më lehtë i transmetueshëm se çdo variant i njohur më parë, deklaroi nga Gjeneva specialistja e OBSH Covid-19, Maria van Kerkhove.
Sipas analizave gjenetike të disponueshme të virusit, ai po përhapet kryesisht në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë dhe tashmë është zbuluar në 29 vende.
‘’Këto janë një nëngrup i variantit Omicron, i cili ka qarkulluar që nga fundi i vitit 2021. Një analizë rreziku është duke u zhvilluar dhe do të publikohet së shpejti’’, theksoi van Kerkhove.
Autoriteti shëndetësor i SHBA-së CDC vlerësoi se XBB.1.5 përbënte rreth 40.5% të të gjitha infeksioneve të reja në SHBA në javën para fundit të vitit.
“Në javët e fundit, raportet për shtrime në spital dhe presion mbi sistemin shëndetësor janë rritur, veçanërisht në rajonet e buta të hemisferës veriore, ku po qarkullojnë edhe sëmundjet e frymëmarrjes, përfshirë gripin”, theksoi shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, transmeton dpa përcjell albinfo.ch.
Përpara rritjes së koronavirusit në Kinë, OBSH vazhdon të bëjë presion për më shumë informacion nga autoritetet kineze. Tedros shprehu mirëkuptim për vendet, përfshirë Evropën, që kanë prezantuar kërkesat e testimit për udhëtarët nga Kina./Albinfo/