Organizata Botërore e Shëndetësisë bëri me dije përmes një konference për shtyp se shifrat javore të rasteve të reja me koronavirus në Europë kanë kaluar dhe numrat e raportuar gjatë pikut të pandemisë në muajin mars.
Sipas drejtorit rajonal të OBSH, Hans Kluge vetëm në javën e fundit u raportuan 300 mijë persona të tjerë të prekur nga virusi Sars-Cov-2.
“Kemi një situatë shumë serioze përpara nesh”, u shpreh ai.
Disa vende europiane, përfshirë këtu Francë dhe Britaninë e Madhe raportuan një numër shumë të madh të infektuarish që nuk shënoheshin më prej disa muajsh.
Kapacitetet testuese janë rritur ndjeshëm në kontinentin e vjetër që nga nisja e pandemisë, duke nënkuptuar se tashmë rastet janë më të mundshme të identifikohen dhe regjistrohen.