Sipas ekspertëve të OBSH-së, një sërë shkaqesh po çojnë në një rritje të re të rasteve të koronavirusit në të gjithë Europën: skepticizmi për vaksinat, i ftohti që i sjell njerëzit në ambiente të mbyllura, indiferenca ndonjëherë për përdorimin e maskave dhe reduktimi i mbrojtjes kundër vaksinimit, të cilat zakonisht dobësohet pesë muaj pas dozës së parë.
Mutacioni më i përhapur Delta konsiderohet gjithashtu shkaktar i rritjes së rasteve.
Kreu i OBSH-së për Europën e konsideron situatën e re “jashtëzakonisht shqetësuese”, ndërsa e sheh Europën si fokusin e një krize të re pandemike. Epidemiologët kanë frikë se vala e katërt mund të arrijë në Europën Perëndimore nga Europa Lindore, pasi numri i personave të vaksinuar në këto vende është ende i ulët dhe shkalla e infeksioneve të reja është e lartë.
Holanda: Shembulli pozitiv që u shemb
Ndonëse një muaj më parë qeveria holandeze hoqi të gjitha masat për koronavirusin, të premten mbrëma kryeministri i vendit Mark Rutte iu kthye situatës së mëparshme, për shkak të rritjes alarmante të rasteve dhe të shtrimeve në spital. Kështu, që nga e shtuna përdorimi i maskës u bë sërish i detyrueshëm, ndërsa hyrja në muze, restorante dhe ambiente pune bëhet me demostrim të detyrueshëm të certifikatës së vaksinimit, kurimit apo testit negativ. Qeveria holandeze u bën sërish thirrje qytetarëve që të punojnë nga shtëpia dhe të shmangin transportin publik.
Një fakt shqetësues është se numri i infeksioneve është në rritje, megjithëse shkalla e të vaksinuarve plotësisht është 84% e popullsisë. Megjithatë, deri më tani nuk ka pasur thirrje për një dozë të tretë të vaksinimit. Aktualisht rekomandohet për njerëzit me imunitet të dobët.
Republika Çeke, Rumania, Bullgaria
Republika Çeke është duke u goditur rëndë nga koronavirusi, me raste që rriten ndjeshëm që nga fundi i tetorit. Qeveria populiste çeke nuk ka arritur të vendosë masa të rrepta mbrojtjeje që nga valët e para të pandemisë. Më pak se 60% e çekëve janë plotësisht të vaksinuar, një përqindje që konsiderohet e kënaqshme në krahasim me vendet e tjera të Europës Lindore.
Megjithatë, Rumania dhe Bullgaria janë në pozitën më të keqe në luftën kundër koronavirusit. Në Rumani, shkalla e vaksinimit është 37%, pothuajse gjysma e mesatares europiane. Në fakt, Instituti Kombëtar i Vaksinimit kohët e fundit vlerësoi se një rumun vdes nga koronavirusi çdo pesë minuta. Rumania mban kështu kryesimin negativ midis vendeve të BE-së që janë goditur më rëndë. Ekspertët tani po krahasojnë situatën në Bukuresht me Lombardinë italiane në fillim të pandemisë.
Në të njëjtën kohë, megjithatë, vendi me shkallën më të ulët të vaksinimit në BE është Bullgaria. Sipas statistikave, vetëm një e katërta e qytetarëve janë plotësisht të vaksinuar, me një përzierje të fortë mosbesimi, skepticizmi dhe bestytnie tek ata që refuzojnë të vaksinohen.
Franca dhe Gjermania
Shqetësuese është edhe situata në Francë , ndërsa presidenti Macron pritet të mbajë një fjalim për pandeminë të martën. Demonstrimi i “pasaportës” kundër koronavirusit në të gjitha ambientet publike pritet të zgjatet deri në vitin e ardhshëm. Madje, Franca kishte marrë masa drastike, duke përfshirë vaksinimin e detyrueshëm për punonjësit e shëndetësisë dhe policinë, që nga vjeshta, duke e rritur shkallën e vaksinimit në 88% të popullsisë së rritur. Mjekët rekomandojnë përshpejtimin e dozës së tretë të vaksinimit, e cila aktualisht është e vlefshme vetëm për personat 65 vjeç e lart.
Në fund të javës, Instituti Robert Koch regjistroi rritjen më të lartë ditore të rasteve që nga fillimi i pandemisë. Ekspertët e përshkruajnë rrezikun e infektimit te personat e pavaksinuar si “shumë të lartë”. Thembra e Akilit e Gjermanisë është shkalla disproporcionale e ulët e vaksinimit: vetëm 67% e gjermanëve të rritur janë plotësisht të vaksinuar, shumë më pak se në vende të tilla si Italia, Franca apo Spanja. Skepticizmi i vaksinimit si dhe rezistenca ndaj veprimit të qeverisë qendrore vazhdojnë të jenë pengesë.