Instituti për Studime të Luftës Hibride ‘Octopus’, ka publikuar një analizë rreth zhvillimeve e fundit gjeopolitike, veçanërisht ato që lidhen me luftën në Ukrainë dhe përpjekjet e vazhdueshme diplomatike, kanë shkaktuar diskutime në rajone të ndryshme.
Analiza i përgjigjet raportimeve për gjoja tërheqjen e forcave amerikane nga Kosova. Një artikull i publikuar së fundmi nga gazeta gjermane Bild me titull “Europa në frikë! Agjencitë e inteligjencës kanë frikë nga tërheqja e trupave amerikane”, ka ndezur përsëri narrativat armiqësore pro-ruse, sidomos pas negociatave të nisura në Riad.
Kjo analizë e Institutit për Studime të Luftës Hibride ‘Octopus’, është përgatitur nga Arben Fetoshi dhe Gurakuq Kuçi, ku thuhet se portretimi i ridislokimit të burimeve ushtarake amerikane si “tërheqje”, është raportim i njëanshëm që përhap frikë dhe shqetësim te publiku.
“Pavarësisht nga motivi i mediave si agjendë politike apo si prirje drejt senzacionit, interpretimi i paralajmërimit të Presidentit Trump se do të ulte numrin e trupave me rreth 20 mijë për shkak të barrës financiare që s’duhet të përballohet vetëm nga taksapaguesit amerikanë, duke i nxitur vendet europiane që t’i rrisin shpenzimet e tyre për mbrojtjen, është tendencioz dhe i pabazuar”, shkruan Instituti për Studime të Luftës Hibride ‘Octopus’.
Presidenti i Polonisë, Andrezej Duda, pas takimit në Varshavë më 19 shkurt me Keith Kellogg, të dërguarin special amerikan për Ukrainën dhe Rusinë, mohoi kategorikisht thashethemet për reduktimin e trupave amerikane në këtë pjesë të Europës. Deklarata e presidentit Duda bie ndesh me raportimin e Bild që i referohej një burimi të saj si zyrtar i lartë i sigurisë në Evropën Lindore për largimin e trupave amerikane bazuar në kërkesën e Rusisë të vitit 2021 për largim të NATO-s nga Evropa Lindore.
“Për më tepër, as nga takimi Trump-Macron në Shtëpinë e Bardhë nuk dolën shenja të tërheqjes së forcave amerikane nga kontinenti i vjetër. Në këtë samit diskutimet u fokusuan në arritjen e armëpushimit në Ukrainë, vendosjen e mundshme të forcave paqeruajtëse europiane dhe marrëveshjet ekonomike që përfshijnë mineralet kritike të Ukrainës. Të dy udhëheqësit theksuan nevojën që Europa të forcojë kontributet e saj në mbrojtje, ndërsa Presidenti Trump deklaroi se edhe Putini pajtohet me vendosjen e trupave paqeruajtëse në Ukrainë. Në Europë, SHBA-ja ka rreth 65 mijë trupa të përhershme, me forca shtesë me rotacion që e çojnë numrin në rreth 100 mijë ushtarë.
Artikulli i Bild u citua nga disa medie ndërkombëtare, por pati jehonë më të madhe në Ballkanin Perëndimor për shkak të Kosovës.
“Mediat serbe e vunë në qendër të raportimit “tërheqjen” e trupave amerikane nga Kosova, ndonëse këto spekulime morën përgjigje të shpejtë nga KFOR-i, i cili nëpërmjet një komunikate siguronte se zyrtarët amerikanë e kanë bërë të qartë angazhimin e tyre ndaj Aleancës Veriatlantike. Megjithatë, kjo narrativë e mediave serbe është ushqyer sa herë që NATO-ja e ka vlerësuar situatën e sigurisë në Kosovë. Që nga viti 1999 kur NATO dislokoi mbi 50 mijë trupa, ajo e ka reduktuar numrin në bazë të vlerësimit dhe sot ka një forcë me 4686 trupa nga 29 vende”, shkruan në analizën Instituti për Studime të Luftës Hibride ‘Octopus’
Prania e trupave amerikane në kuadër të KFOR-it ka qenë vendimtare për paqen në Kosovë, siç u dëshmua nga roli i tyre në zmbrapsjen e sulmeve të huliganëve serbë në vitin 2023 dhe inkursioni i armatosur në shtator 2024 në veri, që e detyruan NATO-n të rrisë numrin e ushtarëve. Prandaj, tërheqja do t’i inkurajonte ekstremistët serbë për ëndrrën e ripushtimit të Kosovës, ndërsa Serbia si satelite e Rusisë, do ta përceptonte tërheqjen si një shans për ta rikthyer ndikimin, gjë që do të shkaktonte një konflikt të ri të armatosur.
Nga ana tjetër, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK), e njohur dhe e mbështetur nga SHBA-të si Ushtria e Kosovës, është në proces të transformimit si një forcë e dëshmuar e vlerave trans-atlantike, përmes pjesëmarrjes në misione të përbashkëta paqeruajtëse. Prania ushtarake amerikane në Kosovë përbëhet nga dy kategori: – trupa brenda KFOR-it që operojnë nën strukturën komanduese të NATO-s, dhe – personel që operon jashtë këtij zinxhiri komandues. Kampi Bondsteel është baza më e madhe amerikane në Ballkan, jo vetëm që strehon trupa të KFOR-it, por gjithashtu përfshin personel të inteligjencës, logjistikës dhe bashkëpunimit të sigurisë, të cilët punojnë ngushtë me institucionet e Kosovës.
Instituti për Studime të Luftës Hibride ‘Octopus’, vlerëson se roli i SHBA-së në transformimin e FSK-së – i dëshmuar nga aprovimi i blerjes së raketave Javelin dhe, së fundmi, helikopterëve Black Haëk – nënvizon më tej rëndësinë strategjike të Kosovës. Në këtë kontekst, çdo tërheqje e mundshme e forcave amerikane nga Kosova, do të krijonte një vakuum që mund të shfrytëzohej nga Rusia dhe aktorë të tjerë armiqësorë. Duke pasur parasysh mbështetjen e Rusisë për Serbinë, një tërheqje e SHBA-së do të zhvendoste ekuilibrin rajonal të fuqisë në favor të interesave ruse në Ballkan.
“Për më tepër, një veprim i tillë do ta minonte besueshmërinë e SHBA-ve te aleatët europianë, për shkak të lidershipit të saj në NATO. Siç u pa në rastin e Afganistanit, një tërheqje e parakohshme e forcave nga zonat e konfliktit shpesh rezulton në rishfaqjen e dhunës dhe destabilizimin rajonal. Në anën tjetër, rëndësinë strategjike që ka Kosova për SHBA-të vërehet më tej nga ndërtimi i Ambasadës Amerikane në Prishtinë e cila shtrihet në gati 5 hektarë – duke e bërë atë ambasadën më të madhe në Ballkan. Prandaj, shqetësimet e ngritura nga artikulli i Bild ilustrojnë se si informacioni i vjetruar mund të ripërdoret për të ndikuar në perceptimet e reja, në varësi të kontekstit politik. Qoftë qëllimisht apo jo, një informacion i tillë mund të shërbejë si një konstrukt strategjik i destinuar për të ndikuar opinionin publik dhe vendimmarrësit shtetërorë”, thuhet në analizën e Institutit për Studime të Luftës Hibride ‘Octopus’.