Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka shprehur shqetësimet e saj në lidhje me iniciativën e ndërmarrë nga Komisioni Parlamentar për Zhvillim Ekonomik për ndryshimin e Ligjit mbi Automjetet për të lejuar importimin e automjeteve më të vjetra se dhjetë vite.
“Duke marrë në konsideratë faktin alarmant të moshës mesatare të automjeteve të regjistruara në Kosovë e cila është më e lartë se 18 vjeçare, Oda Amerikane u bën thirrje deputetëve të Kuvendit që të mos e aprovojnë ndryshimin e Nenit 44 të Ligjit Nr. 05/L-132 mbi Automjetet i cili parashikon ndalimin e importit të automjeteve të cilat janë më të vjetra se 10 vjet”.
“Çdo ndikim pozitiv i gjeneruar nga një politikë e tillë në buxhetin e Kosovës do të mbipeshohej nga efektet e dëmshme që do t’i shkaktoheshin mjedisit, sigurisë dhe mirëqenies së qytetarëve.Oda Amerikane përkrah standardet dhe iniciativat e Komisionit Evropian për të përmirësuar emetimet e gazrave të cilat vijnë si rezultat i automjeteve të lehta dhe të rënda. Për më tepër, ne besojmë fuqishëm se ndryshimi i Ligjit nr. 05/L-132 do të rriste nivelet e ndotjes të cilat edhe ashtu raportohen më të larta dhe në periudha të caktuara të vitit, si ajo e dimrit të vitit 2017, krijojnë shqetësime për qytetarët. Nuk ka dyshim se një veprim i tillë do të ndikonte negativisht në mjedis dhe do të kishte implikime të mëdha shëndetësore”, thuhet në një kumtesë të kësaj ode..
Oda Amerikane shpreh besimin e saj të fuqishëm se importi i makinave më të vjetra se dhjetë vite do të ndikojë negativisht në mjedis dhe ka implikime të rënda shëndetësore, e rrjedhimisht u kërkon institucioneve përkatëse që të ndërmarin një qasje më gjithëpërfshirëse duke marrë parasysh ndikimet mjedisore dhe shëndetësore të kësaj politike si dhe praktikat e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.