Oda Amerikane ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që të mos e miratojë lejimin e importit të veturave më të vjetra se dhjetë vjet.
Oda Ekonomike Amerikane njofton se u ka dërguar të gjithë deputetëve një shkresë, duke shprehur shqetësimet e saj lidhur me iniciativën për heqjen e ndalesës për importin e veturave më të vjetra se dhjetë vjet, raporton KTV.
“Ndryshimi i këtij Ligji do të rriste nivelet e ndotjes të cilat edhe ashtu, raportohen më të larta dhe në periudha të caktuara të vitit, si ajo e dimrit të kaluar, krijojnë shqetësime për qytetarët. Implikimet e tilla në mjedisin rrethues do të kishin implikime edhe në aspektin e sigurisë dhe shëndetit për qytetarët e Kosovës”, thuhet në reagim.
Oda Ekonomike Amerikane shpreh edhe një herë besimin e saj se joefikasiteti i automjeteve të vjetra do të minimizonte çfarëdo përfitimi afatshkurtër që do të mund të gjenerohej nga lejimi i importit të veturave të tilla.