Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka bërë të ditur se Gjykata Komerciale e Republikës së Kosovës ka marrë një tjetër aktvendim, duke pezulluar vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për daljen në tregun e lirë të energjisë, në rastin e një tjetër kompanie vendore.
Sipas OEK-ut, ky aktvendim është një sinjal i qartë për nevojën që të mbrohen interesat e bizneseve, të cilat po preken drejtpërdrejt nga ky tranzicion i nxituar drejt tregut të liberalizuar.
“Mungesa e infrastrukturës së duhur, transparencës dhe përgatitjes për tregun e lirë të energjisë po rrezikon qëndrueshmërinë financiare dhe operacionale të shumë ndërmarrjeve,” thuhet në reagimin e OEK-ut.
Organizata më e madhe e bizneseve në vend thekson se ka qenë zë i vazhdueshëm i shqetësimeve të komunitetit të biznesit, duke paralajmëruar për pasojat e vendimeve të njëanshme dhe jo të koordinuara.
Në fund, OEK i bën thirrje ZRrE-së që të anulojë vendimin për daljen e detyruar në tregun e lirë, në mënyrë që të mos dëmtohet konkurrueshmëria e tregut, qëndrueshmëria e bizneseve, interesat e qytetarëve dhe ekonomia e vendit në përgjithësi.