Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka bërë të ditur se sot ka dorëzuar një Kallëzim Penal në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës ndaj Kryesuesit dhe anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE).
Sipas OEK-ut, kallëzimi është bërë për dyshime të bazuara se zyrtarët e ZRRE-së kanë kryer disa vepra penale, përfshirë:
mos-ekzekutimin e vendimit gjyqësor,
keqpërdorimin e pozitës apo autoritetit zyrtar,
shkeljen e detyrimit zyrtar,
mashtrimin në detyrë,
cenimin e interesit ekonomik publik.
Në njoftim thuhet se veprimi i OEK-ut vjen pas kërkesës së tyre drejtuar Bordit të ZRRE-së që të zbatojë aktgjykimin e Gjykatës Supreme, i cili, sipas OEK, do të mundësonte kthimin e bizneseve të larguara me detyrim në tregun e lirë, përsëri në skemën me çmime të rregulluara.
OEK pretendon se Bordi i ZRRE-së ka zgjedhur ta injorojë dhe ta keqinterpretojë aktgjykimin, duke shkaktuar dëme të ndjeshme financiare për bizneset dhe qytetarët, të cilët, siç thuhet, “po përballen me faturat energjetike më të larta në historinë e Republikës së Kosovës”.
OEK ka kërkuar ndërhyrje institucionale për të siguruar zbatimin e vendimit gjyqësor dhe për të mbrojtur interesin ekonomik publik.







